Pllakos epidemia e verdhëzës

Bëhet identifikimi i dy vatrave të infeksionit në Elbasan dhe Cërrik. Sipas specialistëve, shkaku i epidemisë është niveli i ulët i higjienës
ELBASAN - Dita e djeshme ka qenë alarmante për qytetarët e Elbasanit dhe Cërrikut, për shkak të shpërthimit të epidemisë së verdhëzës. Për pasojë, 18 fëmijë u shtruan në spital me simptoma të kësaj sëmundjeje. Drejtoria e Shëndetit Publik të Elbasanit ka bërë identifikimin e dy vatrave të rrezikshme të kësaj epidemie. Njëra ka prekur fëmijët e një kopshti në Cërrik, ndërsa tjetra është lokalizuar në kopshtin e shkollës “Sulejman Domi”, në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit. E veçanta e rastit të Cërrikut ka qenë se janë prekur vetëm fëmijët e komunitetit mysliman. Duke u bazuar në këtë fakt, mjekët specialistë të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Elbasan dhe Institutit të Higjienës dhe Epidemiologjisë në Tiranë dyshojnë se virusi i hepatitit është marrë gjatë konsumit të ushqimeve në muajin e Ramazanit. Por ky version është hedhur poshtë nga prindërit e fëmijëve, të cilët ua hedhin fajin kushteve të këqija të kopshtit. Sipas tyre, fëmijët e kanë marrë sëmundjen gjatë kontaktit me ndonjë fëmijë tjetër të sëmurë, nga ambienti përreth, nga uji ose ushqimi. Teuta Kosturi, e cila ka të shtruar vajzën e saj pesëvjeçare, Aishen, u shpreh: “Nuk ka asnjë mundësi që verdhëza të jetë marrë gjatë muajit të Ramazanit, pasi për komunitetin tonë pastërtia është gjithçka. Fëmijët u infektuan në kopsht dhe atje duhet kërkuar shkaku”. Situata duket alarmante edhe në lagjen “5 Maji”, ku nga kjo sëmundje janë prekur pesë fëmijë, të gjithë të moshës nga tre deri në pesë vjeç. Të njëjtat shqetësime shprehin edhe banorët e tjerë të kësaj lagjeje, fëmijët e të cilëve janë të prekur nga ky hepatit. Ata ia hedhin fajin papastërtisë së banjave, mungesës së kanalizimeve, gropave septike që janë të hapura dhe ujërave të zeza që derdhen në natyrë. Ata u shprehën se kanë frikë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kopsht dhe shkolla, madje shumë prej tyre i mbajnë fëmijët pa mësim, sepse mund të sëmuren. Sipas mjekes së repartit të sëmundjeve infektive në spitalin pediatrik, Ariana Papajanit, në këtë repart ndodhen të shtruar 18 fëmijë. Dhjetë prej tyre vijnë nga komuniteti mysliman i Cërrikut, një rast është nga Gjirokastra, një nga fshati Shushicë dhe pesë raste janë nga lagjja “5 Maji”. Papajani pohoi se 18 vogëlushët janë të prekur nga Hepatiti Viral A, i cili tejçohet me rrugë fekalo-orale. Në këtë rast është identifikuar virusi ARN, i klasifikuar si Pikornovirus i familjes së Enteroviruseve. Sipas saj, sëmundja e ka periudhën e inkubacionit nga 15 deri në 50 ditë. “Periudha e inkubacionit është edhe faza më e rrezikshme, pasi pacienti që ka marrë sëmundjen, ua transmeton të tjerëve ende pa shfaqur shenjat klinike. Përhapja e sëmundjes kryhet me anë të ujit, ushqimeve, fekaleve, kontaktit etj. Sëmundja trajtohet deri në zhdukjen e shenjave klinike dhe fëmijët qëndrojnë në spital nga dy javë deri në një muaj”, u shpreh Papajani. Sipas saj, mungesa e vëmendjes dhe mostrajtimi i sëmundjes mund të pasohet me komplikacione, kryesisht në mëlçi. Sipas shefit të spitalit pediatrik, Edmond Laho, “hepatiti i konstatuar është i formës epidemike dhe është përhapur nga niveli i ulët i higjienës. Fëmijët janë paraqitur në gjendjen e formës së mesme dhe po trajtohen nga personeli mjekësor”. Ndërkohë, specialistë të drejtorisë së shëndetit publik kanë shkuar në vatrat e sëmundjeve dhe kanë kryer dezinfektimet e nevojshme. Drejtori i Shëndetit publik në Elbasan, Fadil Brazhda, deklaroi se pas analizave të kryera me ndihmën e specialistëve të institutit në Tiranë, është arritur në konkluzionin se kjo sëmundje është përhapur me anë të kontaktit nga personat e sëmurë. Sipas tij, pas analizimit të rasteve janë marrë të gjitha masat për parandalimin e sëmundjes.
Lidhur me rastin e komunitetit mysliman të Cërrikut, Brazhda u shpreh se, “në këtë rast virusi është përhapur gjatë kontaktit me personat e sëmurë, pasi ata e kanë pranuar vetë se çdo pasdite mblidhen bashkë dhe kryejnë ritet fetare dhe aktivitete të ndryshme”. Ndërsa për rastin e lagjes “5 Maji”, Brazhda theksoi se aty ka probleme me infrastrukturën në përgjithësi. Por ai e përjashtoi përhapjen e infeksionit me anë të ujit të pijshëm.