Sarandë, krocera "Nautica" sjell 660 turistë të huaj
SARANDE-Edhe pse sezoni turistik vjetor (plazhi) zyrtarisht quhet i përfunduar, qyteti bregdetar i Sarandës vazhdon të mbetet i preferuar dhe frekuentohet ende nga turistë të huaj, kryesisht nga vendet nordike dhe ato fqinje. Një krocer komod me 660 turistë të huaj ishte dy ditë më parë ngarkesa e fundit që solli në këtë qytet, "Nautica". Turistët e radhës që solli trageti i përmasave të mëdha "Nautica", ishin të moshave e kombësive të ndryshme. Preferenca e turistëve ishin shëtitjet në bregdet, vendet turistike të Sarandës, veçanërisht kalaja e njohur e Butrintit. Ashtu si shumica e turistëve që vijnë në çdo stinë, dhe një pjesë e turistëve të radhës u nisën drejt Butrintit. Edhe pse moti qe disi i ftohtë dhe me vranësira, pati dhe mes turistëve që provuan të futen në ujë. Nëpunës të Bashkisë pohojnë për Gazetën se në bashkëpunim me agjencitë turistike, këtë vit janë marrë masa për afrimin e turistëve të huaj edhe pas përfundimit të periudhës së zakonshme të plazhit. "Gjatë muajit nëntor e deri në ditët e para, në këtë qytet pritet të vijnë qindra turistë që tashmë kanë bërë prenotime e kanë konfirmuar ardhjen. Synimi ynë është që pavarësisht stinëve, turistët vendas e të huaj të preferojnë Sarandën, bukuritë që të ofron ajo", - pohojnë burimet pranë Bashkisë. Krahas investimeve për turizmin, institucionet vendore, biznesi e faktorë të tjerë të komunitetit po përpiqen për krijimin e kushteve sa më të mira. Njëkohësisht, në funksion të turizmit dhe institucionet kanë marrë masat që të punojnë edhe me orë të zgjatura. Pohohet se ardhja për vizitën e organizuar është data 12 dhjetor e këtij viti.
(d.b/BalkanWeb)