Aleatët e PD: Do votojmë dekretet e Presidentit
Aleatët nuk kundërshtojnë emrat e presidentit për Gjykatën e Lartë. Pesë partitë e vogla të djathta janë rreshtuar pro dekreteve të Presidentit të Republikës për Gjykatën e Lartë. Partia Republikane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Demokristiane, Partia Demokrate Reformatore dhe Partia Agrare kanë shprehur pëlqimin për kandidaturat e propozuara nga kreu i shtetit për Gjykatën e Lartë. Deputeti i PBDNJ-së, Leonard Solis, ka dhënë pëlqimin mbi emrat e propozuar nga Presidenti Topi për Gjykatën e Lartë. "Kuvendi po vepron sipas tekave të tij dhe Presidenti Topi ka shumë të drejtë të kërkojë nxitim në dekretimin e emrave të propozuar nga ai për Gjykatën e Lartë", tha Solis. "Personalisht shprehem pro dhe jap pëlqimin për të pestë emrat e anëtarëve të kësaj gjykate", vijoi ai. Republikanët janë treguar luajalë në qëndrimin e tyre, lidhur me propozimet e gjykatësve në Gjykatën e Lartë. Kreu i grupit kuvendor të PR-së, Arjan Madhi, është shprehur se "jemi në pritje të dekretimit të këtyre emrave nga Kryetarja e Kuvendit". Në fjalën e tij, Madhi ka dhënë personalisht pëlqimin mbi emrat e propozuar nga Presidenti, ndërkohë që ka kërkuar që të respektohen edhe procedurat e Kuvendit. Edhe demokristianët janë treguar të ashpër ndaj qëndrimit të Kryetares së Kuvendit. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, është shprehur pro emrave të dekretuar tri javë më parë nga Presidenti i Republikës. Partia Demokrate Reformatore ka theksuar votën e saj "pro emrave të cilët shumë shpejt do të marrin edhe miratimin e Kuvendit". Kreu i grupit të PDR-së, Tritan Shehu, pohon se procedurat për miratimin e tyre po vijojnë normalisht dhe PDR shpreh hapur pëlqimin për anëtarët e Gjykatës së Lartë të zgjedhur nga kreu i shtetit. Agrarët mbajnë të njëjtën linjë me republikanët. Ideja e tyre për ta mbajtur mirë sa me krahun e presidencës dhe me Kryeministrin Berisha, ka bërë që qëndrimi i tyre të jetë luajal.