E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet dhe për tri javë imuniteti i Mediut

Çështja e heqjes së imunitetit të deputetit të PR-së, Fatmir Mediu, ka shkaktuar një debat tjetër dje në sallën e Kuvendit. Ai është shkaktuar gjatë votimit të programit trejavor të Kuvendit ku deputetët e opozitës kanë vënë re se mungonte sërish në program diskutimi dhe votimi për heqjen e imunitetit të deputetit të PR-së. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi se nuk mund të pranohet që kjo çështje të zvarritet nga dita në ditë. Leskaj theksoi se në mbledhjen e fundit të Këshillit të Imunitetit nuk u mor asnjë vendim, por vetëm iu bë presion Kryeprokurores dhe nga Kryetarja Topalli u kërkua që deputetët të lexonin mijëra faqe, leximi i të cilave nuk dihet sa zgjat. "Kjo është një vonesë e qëllimshme dhe nuk ka asnjë motiv për ta bërë dhe aq më tepër kur kemi të bëjmë me një çështje shumë të rëndësishme. Nëse do të kishte qenë një çështje administrative apo diçka e tillë, ndoshta vonesa nuk do të kishte këtë peshë. Por kemi të bëjmë me një rast të jashtëzakonshëm, me një tragjedi e cila ka hedhur në erë 26 jetë njerëzish, ka plagosur 350 vetë dhe ka shkatërruar mijëra shtëpi. Dhe kërkoni që ta fusni çështjen imunitetit në kalendat greke". Pretendimi i Leskaj është kundërshtuar nga kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi. Sipas tij, "kërkesa për heqjen e imunitetit të Mediut është një procedurë që ka nisur dhe asnjë përfaqësues i mazhorancës nuk ka tendencën për ta zvarritur, por ne do të ndjekim procedurat ligjore që na jep rregullorja dhe ligjet në fuqi. Kam parasysh që ju vetë këtu para disa ditësh keni thënë se, ne si opozitë, kemi mirëkuptuar këtë shtyrje për 10 ditë për sa kohë Mediu kishte deklaruar se nuk mund të vinte në këshill për arsye familjare".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›