Korrupsioni, lufta vetëm në media
Prej dy vitesh, policia dhe prokuroria kanë shënuar një numër të madh operacionesh dhe dosjesh penale, kryefjala e të cilave ka qenë korrupsioni i zyrtarëve shtetërorë. Madje nuk kanë munguar edhe konferencat për shtyp apo njoftimet zyrtare të policisë dhe prokurorisë që informonin mediat për arrestimet e radhës të zyrtarëve të korruptuar, duke i konsideruar këto arrestime si suksese të mëdha të luftës ndaj korrupsionit. Por tashmë që një pjesë e mirë e këtyre zyrtarëve të arrestuar janë hetuar dhe gjykuar, jehona në media nuk nënkupton më sukseset e drejtësisë dhe policisë ndaj korrupsionit, por habinë se si këta zyrtarë morën dënime qesharake, si në vite burgimi, ashtu edhe në vlerat e gjobave të vendosura nga gjykatat. Rasti më i freskët është dosja ndaj ish-ministrit të Transporteve, Nikolin Jakës, dhe ish-zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Jaka së bashku me disa ish-zyrtarë janë të lirë, ndërsa pjesa tjetër pritet të lirohen së afërmi. Dhe ky realitet ndodh tetë muaj, pas arrestimit të bujshëm të tyre, ku ishin përdorur metodat speciale dhe dyshimet flisnin për qindra mijëra euro ryshfete të përfituara nga zyrtarët e arrestuar. Jo pak persona, pasi mësuan lirimin e ish-zyrtarëve të akuzuar për afera me tenderët e rrugëve, nuk kanë nguruar të shpreheshin: "Edhe ne i bëjmë me qejf tetë muaj burgim po të fitojmë disa mijëra euro". Por rasti në fjalë nuk është i vetëm. Kështu ia hodhën drejtësisë edhe ish-tatimorët e akuzuar që vendosnin gjoba ndaj bizneseve të mëdha. Ndërsa ish-drejtori i aviacionit civil, Gazmend Dibra, bindi gjykatën se presioni që kishte bërë ndaj nipërve të ish-presidentit të Republikës, Alfred Moisiut, për të ndikuar në shkarkimin e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, nuk ishte ashtu siç dëgjohej në kasetën e incizuar. Ndëshkimi modest i gjykatave ndaj këtyre rasteve nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga prokuroria. Drejtues të kësaj të fundit janë shprehur se gjykata në disa raste ka përgjysmuar masat e dënimit që janë kërkuar ndaj ish-zyrtarëve të akuzuar për korrupsion. Dhe një nga argumentimet e gjykatës për uljen e masës së dënimit ka qenë fakti, që personat e akuzuar kanë qenë me arsim të lartë. Në këtë kontekst duket se togat e zeza e vlerësojnë më shumë faktin që zyrtarët janë me arsim të lartë se sa provat e organit të akuzës, që vërtetojnë aferat korruptive dhe përfitimet e paligjshme që shkojnë në dhjetëra dhe qindra mijëra euro. Dhe për të vënë "tortën mbi qershi", disa nga zyrtarët e akuzuar dhe të gjykuar, pasi përfundojnë me sukses procedurat ligjore, emërohen në poste drejtuese të administratës shtetërore. Në këtë realitet të hidhur, dy janë aktorët kryesorë, të cilët, në një shtet ligjor, duhet të mbajnë përgjegjësi për këto dështime. Ose prokuroria nuk është e aftë të vërtetojë akuzat e ngritura ndaj ish-zyrtarëve, ose gjykata në mënyrë të përsëritur shpreh mospërfillje për punën e organit të akuzës. Në vlerësim të rasteve të lartpërmendura, vërejmë se gjykata i ka shpallur fajtorë zyrtarët e akuzuar. Por nga ana tjetër, është treguar mjaft e dashur me ta, për sa i përket masave të dënimit dhe vlerës së gjobave, të cilat në fund të fundit janë ndëshkimi i vërtetë që mund t‘i bëhet fenomenit të korrupsionit, i cili trumbetohet në çdo fjalim apo raport të qeverisë shqiptare tek elektorati dhe ndërkombëtarët.