Gjykata e Lartë, Berisha presion Topit
Rritet tensioni brenda PD-së. Qëndrimit të Kryetares së Kuvendit për dekretet e Presidentit i janë bashkuar edhe shefi i qeverisë, Sali Berisha dhe numri dy i PD-së, Astrit Patozi. Kryetari dhe dy nënkryetarët e PD-së janë pozicionuar dje kundër kreut të shtetit. Kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje mbi luftën për Gjykatën e Lartë mes Presidentit Bamir Topi dhe Kryeparlamentares Jozefina Topalli. Për të shmangur krizën institucionale, kreu i qeverisë ka përcaktuar grupin negociator që do të shërbejë si urë lidhëse mes kreut të shtetit dhe Kryeparlamentares. Astrit Patozi dhe Ilir Bano janë caktuar dje në grupin parlamentar të PD-së si dy nga personat që do t‘i përcjellin Presidentit të republikës qëndrimin e grupit parlamentar demokrat. Patozi u shpreh se "askush nuk mund të emëroj gjyqtarë pa u konsultuar më parë". Kjo tregon se pjesës së debatit Topi-Topalli i është shtuar edhe struktura e lartë drejtuese e Partisë Demokratike. Berisha ka vendosur në këtë mënyrë t‘i jap fund heshtjes së tij lidhur me debatin në distancë mes Topit dhe Topallit. Kreu i qeverisë duket se i ka shpallur luftë të hapur kreut të shtetit, duke dalë në mbrojtje të Kryetares së Kuvendit. "Presidenti Topi duhet të konsultohet me Kuvendin", u shpreh Berisha në mbledhjen e grupit kuvendor. Berisha u ka kërkuar deputetëve demokratë se në vendimin për dekretet e Presidentit, mazhoranca duhet të udhëhiqet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që kërkon konsultimin e Presidentit me Kuvendin për anëtarët e Gjykatës së Lartë. "Nuk ka ndodhur kurrë dhe kjo është hera e parë që një President të mos konsultohet më parë me mazhorancën dhe opozitën për dekrete të tilla", është shprehur Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar, e cila zhvillohej me dyer të mbyllura. Berisha ka lënë të kuptohet qartë se propozimet e Presidentit Topi shkojnë kundër kritereve të mazhorancës, që sipas Berishës nuk lejon që persekutorët të ngrihen në përgjegjësi. Për këtë gjë, Kryeministri, së bashku me deputetin e Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, do të hartojnë një draft të ri për hapjen e dosjeve. Pra, në pikun e një debati politik mes dy institucioneve kyçe të vendit, Kryeministri kërkon të rihapë çështjen e hapjes së dosjeve. Lidhur me dekretimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Berisha bëri me dije se Kryetarja e Kuvendit po ndjek rrugën kushtetuese për çështjen e dekreteve, duke konsideruar mocionin kundër Kryeparlamentares Topalli si një mocion kundër qeverisë. "Mocioni i PS-së është për qeverinë dhe jo për Topallin. Unë nuk pranoj që mazhoranca të shkelet me këmbë", tha Berisha në grup, duke iu drejtuar deputetëve, të cilët kanë aprovuar ose disaprovuar në heshtje qëndrimin e Kryeministrit Berisha. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, do të sqarojë zyrtarisht në Presidencë pozicionin e mazhorancës. Takimi mes Presidentit Topi dhe kryetarit të grupit kuvendor të PD-së, Astrit Patozit, pritet të zhvillohet sot, ndërkohë që modalitetet e takimet janë diskutuar që prej ditës së djeshme. Qëllimi i negociatave mes Patozit dhe Presidentit Topi synon që të rrëzojë dy nga pesë emrat e propozuar prej kreut të shtetit për Gjykatën e Lartë. Ajo çka do t‘i kërkohet Presidentit nga PD-ja është që emrat të mos votohen në bllok dhe se duhet të tolerojë, duke tërhequr vetëm dy prej tyre. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së deklaroi një ditë më parë se Partia Demokratike nuk do të pranojë asnjë formë presioni të ushtruar nga Partia Socialiste. Qëndrimi i Partisë Socialiste për shkarkimin e Jozefina Topallit nga karrigia e Kryeparlamentares ka ngritur në gatishmëri numër një kampin blu, i cili ka dalë në mbrojtje të numrit dy të Partisë Demokratike. Gjatë mbledhjes së grupit, Kryeministri Berisha informon deputetët për nisjen e fushatës elektorale, që do u paraprijë zgjedhjeve të qershorit të vitit të ardhshëm. Kreu i qeverisë u ka kërkuar dje deputetëve demokratë të kërkojnë se çfarë duan për zonat e tyre elektorale, duke cilësuar si prioritet asfaltimin e akseve kryesore rrugore, dhe të rrugëve dytësore. Kryeministri Berisha duket i vendosur në vendimin e tij për të shpërblyer zonat rurale që në shkurt të 2007-ës i dhanë atij votat për pushtetin lokal.