E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mocioni i Topallit, PS negociata për votat

Funksionarët e Partisë Socialiste do të negociojnë për të arritur numrin e votave që e bën të suksesshëm mocionin ndaj kryeparlamentares Jozefina Topalli. Burimet nga selia rozë sqaruan dje se pas diskutimeve në Kryesi dhe më pas në grupin parlamentar është rënë dakord të konkretizohet kjo nismë. Rregullorja e Kuvendit parashikon votim të fshehtë dhe kërkon 70+1 të votave për të zgjedhur dhe shkarkuar kryetaren e Kuvendit.

Negociatat

Nisma për mocion shkarkimi ndaj Topallit duket se ka realizuar produktin e parë brenda së majtës. Partitë e këtij grupimi politik që prej ditësh akuzojnë njëra-tjetrën kanë ndarë të njëjtin qëndrim. Ashtu sikurse dy herët e tjera, deputetët e LSI, PAD e PDS do të mbështesin propozimin për shkarkim të kryeparlamentares. Kjo nismë pritet të zyrtarizohet nga partia më e madhe opozitare. Ndonëse votat e opozitës mund të jenë të bashkuara, kjo nuk do të mjaftonte për të dalë me sukses. Ndaj mësohet se socialistët kanë filluar një fushatë negociatash për të gjetur numrin e nevojshëm të votave. Pikë së pari do të synohet të grumbullohen vota nga deputetët e partive të vogla në koalicion aktual me Partinë Demokratike. Dhe në të tilla raste tentativa e parë bëhet gjithnjë me tre deputetët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Vangjel Dule, Spiro Peçi dhe Leonard Solis duket se do të jenë synimi primar. Por përpjekja për të siguruar votat nuk do të ndalet vetëm me kaq, pasi do provohet edhe më tutje. Një tjetër moment që mund të shfrytëzohet prej socialistëve është konflikti brenda Partisë Demokristiane. Kryetari i kësaj partie, Nard Ndoka, dhe mbështetësit e tij, kohët e fundit janë vënë kundër kryeparlamentares Jozefina Topalli. Kategoria e tretë ku do të synojnë të dalin me sukses negociatat është grupi i mbështetësve të Presidentit Bamir Topi, brenda Partisë Demokratike. Rrymë që u shfaq në momentin e ndryshimeve kushtetuese, por që nuk tregoi ndonjë shenjë soliditeti.

Rregullorja

Në rregulloren e Kuvendit thuhet se kandidati për kryetar propozohet nga të paktën 15 deputetë. Një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat. Propozimi bëhet me shkrim, përmban nënshkrimet përkatëse dhe paraqitet në Sekretarinë e Përkohshme të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota. Votimi organizohet publikisht dhe drejtohet nga një komision votimi, i përbërë prej pesë deputetësh, që pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Anëtari më i vjetër në moshë kryen edhe detyrën e kryetarit të komisionit të votimit dhe shpall rezultatin e votimit.

Qëndrimi

LSI, Xhufi deklarohet për nismën e PS

"Mbështesim mocionin, por jemi pesimistë"

Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet në mbështetje të mocionit ndaj kryeparlamentares, por e shikon realizimin me dyshim. Zëvendëskryetari i kësaj partie, Pëllumb Xhufi, konfirmoi se zonja Topalli, nën cilësinë e saj si kryetare e Parlamentit, ka kontribuar më shumë për atë që nuk duhet të bënte, pra për të dëmtuar e goditur parlamentarizmin. Sipas tij, zonja Topalli ka kontribuar më shumë që të godasë frymën parlamentare, të godasë parlamentarët e veçantë, figurën dhe imazhin e deputetit, në mënyrë që të kontribuojë për ndërtimin e pushtetit absolut të zotit Berisha. Xhufi sakaq shprehu një lloj skepticizmi për faktin se një nismë e tillë bëhet në kohën kur ka marrëveshje dhe konsensus midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për çështje shumë të rëndësishme si Kushtetuta. "Momenti na duket i çuditshëm, që të ngrihet një mocion mosbesimi ndaj zonjës Topalli, e cila ka qenë një ndër protagonistet e arritjes së këtij konsensusi dhe të ndryshimeve kushtetuese. Pra, këtu tingëllon një farë ironie, do të thosha dhe cinizmi, e që na bën neve skeptikë, në arritjen dhe në suksesin, aq më pak, të këtij mocioni", nënvizoi Xhufi. Ai vlerësoi se që të dalë me sukses një mocion, para së gjithash, realizohet momenti konkret i konfrontimit midis pozitës dhe opozitës dhe konkretisht bëhet një llogaritje për numrin e votave që do të mund të arrihet. Përndryshe mocioni, sqaron Xhufi, natyrisht dështon dhe lë një pikë negative te promotorët e tyre, pra tek opozita në rastin konkret. Xhufi kujtoi kontributin që Partia Socialiste dha për ndryshimin e Kushtetutës dhe konkretisht, edhe për ndryshimin e neneve që kanë të bëjnë me rolin dhe me profilin e Presidentit të Republikës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›