E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita braktis Kuvendin, kthehemi kur të diskutohen dekretet

Opozita është larguar dje nga salla e Kuvendit, duke deklaruar se do të rikthehet aty pasi Kryetarja e Topalli të fusë në program heqjen imunitetit të Mediut dhe dekretet e Presidentit Topi. Vonesa e dekreteve të Presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë ka shkaktuar shumë debate dje në sallën e Kuvendit. Kryetarja e Parlamentit Topalli ka mohuar të gjitha akuzat e opozitës, duke theksuar se ajo ka respektuar vetëm Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, duke mos mbajtur
"peng" asnjë dekret të Presidentit. Topalli tha se ka kërkuar informacion për këto kandidatura, ashtu siç ia kërkon ligji. Ky pretendim është kundërshtuar nga opozita, e cila ka deklaruar se dekretet po rrinë në tryezën e Topallit prej gati një muaji. Por, pavarësisht qëndrimit të opozitës, Kryetaren e Kuvendit e kanë mbrojtur me fanatizëm deputetët e grupit parlamentar të PD-së, të cilët të vënë në "rresht" kanë deklaruar se Topalli nuk e ka shkelur rregulloren dhe ligjin, por gjithçka që po bën ajo është e bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 18.01.2005. Ky vendim është lexuar i plotë nga deputetja Lajla Pernaska në sallën e Kuvendit. Më pas, të njëjtën mbrojtje ndaj Kryetares së Kuvendit kanë bërë edhe deputetët Ardian Kollozi dhe Ferdinand Xhaferri, duke u pasuar nga Ilir Bano. Por pavarësisht mbrojtjes së deputetëve të PD-së, opozita i ka vlerësuar si qesharake deklaratat e tyre, të cilët, të detyruar, po përpiqen ta shpëtojnë atë nga mocioni i opozitës. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka deklaruar se Kryetarja e Kuvendit Topalli po vonon qëllimisht dekretet me argumentin se po heton mbi kandidaturat, duke marrë kompetenca që nuk ia jep ligji. Sipas Leskaj, disa deputetë të PD-së u lodhën në sallën e Kuvendit duke cituar rregullon, duke thënë se merret pëlqimi, por ajo thekson se "kjo nuk do të thotë se merret pëlqimi i kryetares, se në të gjitha argumentet që u bënë edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ngatërrohet Kryetarja e Kuvendit me Kuvendin. Kryetarja e Kuvendit nuk është Kuvendi, kur vijnë dekretet e Presidentit, ata shkojnë te Komisioni i Ligjeve dhe është ky komision që e ndjek këtë procedurë që i ka këto atribute, nuk është kryetarja që e verifikon meritën ose jo të kandidatëve". Por deklarata e Leskaj është kundërshtuar nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Në fjalën e tij ai theksoi se debati për dekretet e Presidentit duhet të kishte ndjekur një rrugë tjetër dhe jo këtë. "Por, për fat të keq, ju si opozitë ngutët dhe gabuat, pasi kjo nuk ishte çështja juaj. Ju deshët të përfitonit dhe të na vinit në pozitë të vështirë. Mesa duket, ju nuk e kishit lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nëse e keni lexuar, ju keni dashur që të shkelet Kushtetuta", është shprehur Patozi. Por pavarësisht deklaratës së Patozit, Topallit dhe deputetëve të tjerë të PD-së, opozita nuk e ka pranuar këtë mbrojtje. I detyruar nga presioni i opozitës, Kryetarja Topalli është detyruar të ndërpresë seancën për ta rifilluar atë pas disa minutash. Ky rifillim nuk e ka qetësuar, por e ka tensionuar më shumë debatin në Kuvend.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›