Bursat, bie çmimi i naftës
Çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar sërish ulje. Një fuçi naftë është kuotuar me 41.3 dollarë. Sipas analistëve, rënia më e madhe e çmimit të naftës është shkaktuar nga frikësimet e investuesve se kërkesa e përgjithshme po zvogëlohet, pasi kriza me kreditë ka futur ekonominë botërore në recesion. Kështu, çmimi i naftës ka pësuar një rënie galopante krahasuar me çmimin në korrik të vitit të kaluar, kur një fuçi naftë u shit me 147 dollarë për një fuçi. Por ndërsa çmimi i arit të zi në bursat e huaja është gjithnjë e në rënie, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për çmimin e karburanteve në vend. Në pikat e tregtimit të karburantit në Tiranë, një litër naftë shitet me 100 lekë, ndërsa një litër benzinë me 105 lekë. Të dhënat tregojnë se rënia e çmimit të karburanteve në bursa nuk është reflektuar shumë në tregun vendas.