E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, Alibeaj mbyll dyert e gjykatave

 

Fatos Mahmutaj

Ministri i Drejtësisë, Alibeaj, urdhëroi gjykatat që të mos shërbejnë ndaj qytetarëve që nuk kanë aplikuar për pajisje me kartë identiteti. Urdhri është firmosur nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, më datë 28 janar, sipas të cilit bllokohet marrja dhe dhënia e dokumenteve nëpër gjykata për qytetarët që nuk kanë aplikuar për t'u pajisur me pasaporta dhe karta identiteti. Urdhri i Alibeaj është shpërndarë në të gjitha Gjykatat e Faktit dhe Apelit në vend, ndërkohë që ministri argumenton se e ka mbështetur atë në Kushtetutë; ligjin për organizmin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë; VKM për pajisjen për herë të parë me letërnjoftim të shtetasve me shqiptarë dhe përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve; si dhe të ligjit për gjyqësorin. Ndërkohë ditën e djeshme ky urdhër ka nisur të zbatohet duke shkaktuar pakënaqësi te qytetarët e shumtë, që u është dashur të përballen me masat ndëshkimore për faktin se nuk kanë aplikuar për pajisjen me kartat e identitet apo letërnjoftimet elektronike.
Urdhri
Pika e parë e urdhrit të Alibeaj është: "Për kryerjen e shërbimeve për lëshimin e vërtetimeve dhe akteve të tjera nga administrata gjyqësore, kërkuesit duhet të depozitojnë në kryesekretarinë e gjykatës një kërkesë me shkrim, ku të jetë shënuar numri personal i identitetit ose numri i aplikimit që ndodhet në formularin e aplikimit për letërnjoftim". Ndërkohë më tej në të pohohet se lëshimi i vërtetimeve dhe ekstrakteve të dosjeve gjyqësore nga administrata gjyqësore e gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apelit të kryhet duke shënuar në to numrin personal të identitetit ose numrin e aplikimit që ndodhet në formularin e aplikimit për letërnjoftimin e kërkuesit.
Afati
Ministri i Drejtësisë ka specifikuar në urdhrin e vet se për kërkesëpaditë e dorëzuara në gjykatë pas datës 1 shkurt 2009, në gjenealitetet e paditësit duhet patjetër, që paditësi, të shënojë numri personal të identitetit ose numrin e aplikimit që ndodhet në formularin e aplikimit për letërnjoftim, si dhe një kopje e kartës së identitetit apo formularit të aplikimit. Ndërkohë sipas tij për kërkesëpadinë e dorëzuar në gjykatë para kësaj date, numrat identifikues të shënohen në seancën gjyqësore të radhës ose në momentin e tërheqjes së vendimit gjyqësor në kryesekretarinë e gjykatës. Ministri pohon më tej se një kopje origjinale e vërtetimit të lëshuar, ku të jetë shënuar numri personal i identitetit ose numri i aplikimit që ndodhet në formularin e aplikimit të kërkuesit të mbahet dhe të administrohet në kryesekretarinë e gjykatës.
Masat
Alibeaj ka specifikuar gjithashtu se punonjësit e administratës gjyqësore japin shërbimin e kërkuar vetëm kur paraqiten këta numra identifikues. Në urdhrin që ka marrë fuqi të menjëhershme, ministri i Drejtësisë parashikon edhe penalitetet për administratën e gjykatave që do veprojnë në kundërshtim me të. "Ofrimi i shërbimit dhe pajisja e qytetarëve me vërtetime dhe akte të tjera në kundërshtim me pikat e sipërpërmendura të këtij urdhri përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me masa, duke filluar nga gjoba deri në shkarkim nga detyra të punonjësit për-gjegjës", pohon ministri i Drejtësisë, ndërsa në fund shton se: "Ngarkohen kancelarët e gjykatave për njoftimin dhe zbatimin e këtij urdhri", si dhe faktin që "Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë".

Xhufi:"Qeveria të mbajë premtimin"

Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkon qeverisë të mbajë premtimin për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. Zv.kryetari i kësaj partie, Pëllumb Xhufi tha dje në një konferencë për shtyp se, "ne i bëjmë thirrje, gjithashtu, Qeverisë që t'i qëndrojë detyrimit dhe angazhimit të saj për të pajisur me karta identiteti të gjithë qytetarët shqiptarë, nga i pari deri tek i fundit që ka mbushur moshën për t'u pajisur me një dokument të tillë". Në të njëjtën kohë, LSI-ja doli kundër ngritjes së një komisioni ad hoc për monitorimin e përgatitjes së zgjedhjeve. "Jemi kundër çdo iniciative, e cila tenton të devijojë përgjegjësitë, pavarësisht se nga kush vjen kjo iniciativë. Të tillë konsiderojmë dhe iniciativën për të njohur dokumente të tjera që nuk janë karta e identitetit, dhe akoma më tepër, propozimin apo iniciativën për të krijuar një komision ad hoc", theksoi më tej Xhufi.

Kartat e identitetit, nis shpërndarja për qytetarët

Rreth 20 ditë pas nisjes së aplikimit të qytetarëve për pajisjen me letërnjoftimet biometrike, prodhohet i pari dokument i këtij lloji. Dje paradite ka qenë Kryeministri Berisha, i cili pasi ka marrë pjesë në përurimin e Qendrës së Personalizimit të Letërnjoftimeve Biometrike dhe Pasaportave Elektronike, nxori nga makineria e ngritur enkas, kartën e re biometrike, e cila i përkonte qytetarit të parë që ka aplikuar në 12 prill. Duke folur gjatë kësaj ceremonie, kreu i qeverisë u shpreh se, "gjatë këtyre viteve ne kemi firmosur projekte të mëdha për Shqipërinë. Ka prej tyre që kalojnë 1 miliard euro. Ndërsa ky është një projekt me rreth 30 milionë euro, por ky është më i rëndësishmi edhe nga pikëpamja cilësore, pasi është një projekt që pajis qytetarët shqiptarë me dokumentet më moderne të identitetit". Berisha vlerësoi se pajisja e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet e reja dhe pasaportat biometrike është një moment i rëndësishëm, që do të modernizojë në tërësi shërbimet në institucionet e tjera të vendit, duke filluar nga pagimi i taksave e deri tek sigurimet shëndetësore. Ndërsa menaxheri i përgjithshëm i "Aleat", Jean-Alain Joun vuri theksin se brenda një kohe të shkurtër u arrit rikonstruksioni i ambienteve të ish-Topografisë Ushtarake, ku do të prodhohen letërnjoftimet dhe pasaportat e reja biometrike.

PS: Asnjë qytetar s'ka marrë dokumentin

Partia Socialiste reagon ndaj vonesave për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. Kryetarja e grupit parlamentar socialist tha dje në një prononcim për mediat, se ende qeveria nuk ka një plan për shpërndarjen e kartave. "Çështja e kartave të identitetit mbetet proces kaotik, ku sot asnjë qytetar, asnjë banor i Republikës së Shqipërisë nuk ka marrë asnjë kartë identiteti. Sot, me gjithë deklaratat, nuk kemi një plan të qartë për sa i përket shpërndarjes së kartave të identitetit dhe kjo rrezikon procesin. Qeveria duhet të reflektojë në mënyrë të menjëhershme përsa i takon listave zgjedhore dhe kartave të identitetit", tha Valentina Leskaj në përfundim të mbledhjes së grupit socialist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›