E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët e PS: Protestat, rruga e vetme për transparencën

TIRANE- Aleatët e PS, në një mendje me Ramën “Protesta për të larguar qeverinë Berisha”. Sipas kryetarit të Partisë Demokristiane Nard Ndoka dhe kreut të Partisë Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela, protestat janë e vetmja rrugë për të bërë transparencën e 28-qershorit dhe për të ndalur rrënimin ekonomik. Aleatët e PS akuzojnë kryeministrin Berisha për bllokimin e dialogut dhe shkaktar të krizës në vend.

“Kemi një mazhorancë dhe një kryeministër të papërgjegjshëm i cili ka bllokuar dialogun politik. Nuk respekton Presidentin e Republikës, nuk respekton institucionet ndërkombëtare, nuk respekton opozitën, nuk respekton qytetarët e vet për të bërë transparencën e zgjedhjeve, e cila kërkohet tashmë nga të gjithë. Atëherë e vetmja mënyrë për ta ndaluar këtë është protesta , nuk ka asnjë formë tjetër për të siguruar standardet e zgjedhjeve, për të siguruara elementin më kryesor në funksionimin e një demokracie, votën e qytetarëve.” u shpreh Ndoka.

“Protesta është për shkeljet e së drejtës. Janë shkelur të drejtat elementare kushtetuese, zgjedhjet janë manipuluar, transparenca nuk lejohet të bëhet, 600-700 mijë votues nuk lejohen të shikojnë votën e tyre, ku është parë kjo. U përdorën të gjitha mjetet dhe tani mbetën vetëm protestat, atëherë populli le të vendosë.” theksoi Ngjela.

Ndoka e Ngjela kanë komentuar edhe takimin e kryeministrit Berisha me ish kryeministrin Nano në Vjenë. Për aleantët e PS ky takim nuk i shërben as vetë Berishës, pasi sipas tyre Nano është jashtë sferës politike.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›