E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët e PS, gati lista e ministrave për shkarkim

26/11/2004  Aletatët e Partisë Socialiste do të paraqesin brenda javës së parë të dhjetorit emrat e ministrave që duhet të ndryshojnë. Duke iu përgjigjur deklaratës së sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, ata kanë sqaruar dje se do të mbledhin strukturat përkatëse për të përcaktuar se cilat poste në qeveri duhet të ndryshojnë. Ndërkohë, nga acarimi i marrëdhënieve të "Koalicionit për Integrim", Partia Socialiste i ka dërgur dje aleatëve një ftesë zyrtare për të negociuar mbi bashkëpunimin në koalicion. Gramoz Ruçi u kërkoi aleatëve të mos bëjnë presione, por të parashtrojnë propozime konkrete për ndryshimet në qeveri dhe përcaktimin e raporteve brenda koalicionit qeverisës.

Aleatët

Aleatët e Partisë Socialiste në "Koalicionin për Integrim", një ditë pas deklaratës të Ruçit, shprehen se në tryezën e radhës do të paraqesin zyrtarisht propozimet dhe kërkesat e tyre për ndryshime në qeveri. Vetë përfaqësuesit e partive të koalicionit janë shprehur se ende nuk bëhet fjalë për emra të përveçëm në kabinet. Por, ata kanë paralajmëruar se do të paraqesin kërkesat për sektorët ku çalon puna. Gjithashtu, ata përforcojnë ultimatumin se koha për të ndërmarrë ndryshimet në qeveri sa vjen dhe kufizohet. Sipas kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, "përmirësimi i qeverisjes, rruga si do të shkohet deri në zgjedhje dhe mënyra se si do të paraqitemi në zgjedhje, do të jenë kërkesat ndaj PS-së". Ndërsa, lidhur me deklaratën e numrit dy të socialistëve, Gjinushi tha se "kemi propozime konkrete, që i kemi thënë publikisht, por gjithmonë duke evituar emra dhe duke folur vetëm për kritere dhe për nevojën e ndryshimeve në parim". Ndërkohë që Partia Aleanca Demokratike, e kryesuar nga Neritan Ceka, do të mbledhë kryesinë për të përcaktuar se më çfarë propozimesh do të shkojë në tryezën e "Koalicionit për Integrim". Sipas Cekës, "Kryesia e PAD-së do të bëjë kërkesat në mënyrë që në mbledhjen e tryezës të jepen propozimet konkrete". Ai tha se "deri në javën e parë të dhjetorit, aleatët do të platformojnë propozimet e tyre për të qenë në rrugë të mbarë dhe kjo nuk është më çështje kohe, por një koncept i ri qeverisjeje". Ndërsa kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli, shprehet se në tryezën e koalicionit qëndrimi i tyre do të përqëndrohet në "nevojën për një ridimensionim të raporteve midis PS-së dhe PAA-së. Kjo në të gjithë nivelet e qeverisjes".

Braktisja

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka mbajtur një distancë të largët me kolegët e tij të vegjël në koalicion në lidhje me ndryshimet në qeveri. Madje, ai ende nuk ka bërë të qartë nëse është për ndryshimin e emrave të ministrave brenda dhjetorit apo jo. Në lidhje me pyetjet e medias, nëse i pranon apo jo deklaratat e Ruçit, Dule është mjaftuar me deklaratën "no koment". Kjo ka lënë në fuqi dhe prononcimin e tij të mëparshëm se PBDNJ-ja nuk është për ndryshimin e emrave të qeverisë.

Paskal Milo

Kur të mblidhemi në tryzë, do të ketë emra konkretë, kritika konkrete, propozime konkrete, ndërkohë që Partisë Socialiste i kemi dërguar propozimet për bashkëpunim në nivele të dyta dhe të treta të administratës qendrore dhe lokale, propozimet janë duke u shqyrtuar

Neritan Ceka

Do të mblidhet Kryesia e PAD-së për të marrë projektet konkrete, në mënyrë që në mbledhjen e ardhshme të "Koalicionit për Integrim" paraqiten propozimet për të qenë në rrugë të mbarë. Këto kërkesa nuk janë më çështje kohe, por një koncept i ri qeverisjeje që kërkon angazhime

Skënder Gjinushi

Të gjithë aleatët dhe PS-ja janë shprehur për nevojën e ndryshimeve në qeveri. Koha më e përshtatshme është para buxhetit. Vetë PS-ja na detyron të vëmë një limit në kohë. Ne asnjëherë nuk kemi luajtur me emrat, por sektorët që çalojnë dihen, dhe pikat kryesore dihen

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›