E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasardhësi i Skënderbeut Pema e familjes në Tiranë

25/11/2004  Pasardhësi i Skënderbeut

Pema e familjes në Tiranë

Që pasardhësit e heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, jetonin diku në Itali, për këtë askush nuk dyshonte, por se një ditë ata do të vinin në Shqipëri dhe me shumë dashuri do të kishin ruajtur të gjithë dokumentacionin përkatës, që provon se ata janë vazhduesit e familjes së Kastriotëve, këtë ndoshta, shumë pak e kishin çuar nëpër mend. Megjithatë, edhe më dyshuesit dhe skeptikët duhet ta besojnë këtë fakt. Me insistimin e Ylli Polovinës dhe Visar Zhitit, Alessandro Kastriotas Scanderbeg, u prezantua para publikut shqiptar. Motra e tij ka vizituar "incognito" vendin tonë në vitin 1992 dhe më pas vëllai i tij, përsëri "incognito" dhe, do të ishte Alessandro, ai që do të "guxonte" të shfaqej publikisht. Në një ceremoni modeste të organizuar në Muzeun Historik Kombëtar, ku u bë edhe promovimi i librit me titull "Skënderbeu një hero modern", shkruar nga Gennaro Francione dhe botuar me kujdesin e Costanco d' Agostino, drejtori i Muzeut, Moikom Zeqo, midis të tjerash, theksoi se është një kënaqësi që midis nesh ndodhet një pasardhës i heroit tonë Kombëtar, duke shtuar se, pa dyshim, edhe libri "Skënderbeu një hero modern", mbetet një libër krejt i veçantë, krahasuar me të gjithë librat, apo monografitë kushtuar figurës së Skënderbeut. Kjo, edhe për vetë faktin se, për herë të parë, në këtë libër trajtohet edhe fenomeni i bektashizmit, lidhur ngushtë me figurën e Skënderbeut, duke shpjeguar edhe pse eshtrat e tij, u morën nga ushtarët turq e u përdorën si hajmali. Natyrisht, libri i botuar vitin e kaluar në Itali, ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe. Ndërsa shkrimtari Visar Zhiti, tha për "Metropol" se kishte disa vite që njihej me pasardhësin dhe një ndër arsyet që ai apo edhe pjesëtarët e familjes së tij, i ishin shmangur prezantimit publik, ishte edhe "mosnjohja e gjuhës shqipe". Ndërsa, Ylli Polovina u shpreh për gazetën se, familja e Alessandros, prej shumë vitesh ka kontakte të rregullta me ambasadën tonë në Itali dhe se "nuk ka asnjë dyshim, se ai apo edhe pjesëtarët e familjes së tij janë pasardhës të Kastriotëve", duke shtuar se për një kohë të gjatë familja "Scanderbeg" i ishte shmangur prezantimit në publik, pasi "kishin ndrojtje dhe që është e natyrshme për ta bërë publike këtë fakt". Alessandro Kastrioti Scanderbeg ka treguar para kamerave dhe aparateve fotografikë pemën gjenealogjike, ku tregohej vazhdimësia e familjes së tij ndër shekuj, dokument, i cili iu dorëzua dje Arkivave të Përgjithshme të Shtetit.

Leonard Olli

Alessandro është mjek radiolog, i martuar me Karolinën (belge) dhe ka dy vajza. Ai e ka ditur gjithmonë që është një pasardhës i familjes së Kastriotëve dhe ndjehet shumë keq për faktin që "nuk di shqip", duke e konsideruar këtë një "mëkat të vërtetë".

Ju e keni ditur gjithmonë që jeni pasardhës të Skënderbeut?

Natyrisht. E kemi ditur që në fëmijëri këtë fakt. Eshtë diçka që e kemi trashëguar brez pas brezi.

Prej shumë vitesh keni qenë kaq pranë dhe njëkohësisht shumë larg Shqipërisë...

Ka qenë një raport i "vështirë" dhe një përballje e vështirë me realitetin. Një përballje me dëshirën për të ardhur në Shqipëri dhe pamundësisë, si rezultat i diktaturës. Shpeshherë kur udhëtonim së bashku me babain drejt Greqisë, zgjidhnim udhëtimin me anije, që kalonim pranë ngushticës së Korfuzit dhe shikonim tokën shqiptare, një tokë që dëshironim, por që nuk mund të shkonim. Më pas, pas rënies së diktaturës patëm dëshirë të vinim në Shqipëri, por për arsye të ndryshme nuk mundëm. Megjithatë, motra ime erdhi për një vizitë private në vitin 1992 dhe disa vite më vonë edhe vëllai im.

A ka patur babai juaj kontakte me përfaqësitë diplomatike të periudhës së komunizmit?

Jo. Mesa di unë, babai asnjëherë nuk ka patur kontakte me regjimin e asaj periudhe. Besoj se asnjëherë nuk ka tentuar ta bëjë një gjë të tillë, jo se i mungonte dëshira për të ardhur në Shqipëri, madje do të kishte qenë një lumturi e vërtetë për të një gjë e tillë, por ndoshta kushtet ishin të tilla, që nuk ia krijuan këtë mundësi.

Skënderbeu ka qenë një figurë madhore, jo vetëm për kombin tonë, por edhe i historisë evropiane...

Eshtë e vërtetë dhe këtë fakt e kam patur gjithmonë në konsideratë si një pikë referimi moral, madje, edhe për sjelljen time të përditshme. Por këto ditë që ndodhem në Shqipëri, kam kuptuar që figura e tij është një pikë referimi për një popull të tërë. Pra, jo vetëm lidhja e gjakut, por edhe qëndrimi i përbashkët ndaj figurës së tij, më ka bërë të ndjehem shumë pranë popullit shqiptar, pjesë e të cilit jam edhe unë, por ky qëndrim i përbashkët, njëkohësisht më bën të ndjehem edhe më shumë shqiptar.

Jo rrallëherë, në të kaluarën, fqinjët tanë ballkanikë kanë pretenduar se Skënderbeu nuk ka qenë shqiptar...

E kam dëgjuar këtë fakt. Por për sa i përket origjinës shqiptare të Skënderbeut, nuk besoj se ka më dyshime. Historianët e kanë sqaruar këtë fakt në mënyrë definitive. Skënderbeu ka qenë shqiptar dhe një nga figurat më të shquara të popullit shqiptar. Personalisht ndjehem shumë i nderuar që jam një nga pasardhësit e tij dhe pjesë e familjes së madhe shqiptare. Kombi shqiptar ka një ndjenjë identiteti shumë të fortë, që i kalon edhe kufijtë e vetë Shqipërisë. P.sh., arbëreshët e Italisë, edhe pse kanë rreth 500 vjet që jetojnë në Itali, nuk e kanë humbur identitetin e tyre, vazhdojnë ende të ndjehen shqiptarë dhe të ruajnë të njëjtin nderim dhe respekt për figurën e Skënderbeut, si një njeri ideal.

A ka një festë të veçantë për Skënderbeun te arbëreshët e Italisë dhe sa të lidhur keni qenë ju me këtë komunitet shqiptar?

Organizohen shumë festime dhe aktivitete për nder të tij dhe, madje, tani së fundmi kemi qenë të ftuar bashkë me gruan time, në një festë të organizuar nga arbëreshët shumë pranë Palermos.

Vizita juaj e parë në Shqipëri dhe, deklaruat se po përpiqeni të mësoni gjuhën shqipe...

Eshtë vërtet një mëkat që nuk e di gjuhën time. Më vjen sinqerisht keq për këtë, pasi edhe babai im fliste shumë pak shqip, por, po përpiqem dhe shpresoj ta mësoj shpejt.

Intervistoi: L. Olli

Box (brenda intervistës)

Carolina Kastrioti Scanderbeg

Djali "objektivi" i Alessandros

Kur mësova se Alessandro rridhte nga një familje "mbretërore" shqiptare, nuk isha dhe shumë e ndërgjegjshme, pasi në historinë e huaj që ne mësojmë në Belgjikë, flitet pak për Shqipërinë. Por më pas e kam kuptuar dhe kam mësuar shumë për vendin tuaj. Madje, mund t'ju them se ai është një vazhdues i denjë i traditës shqiptare dhe këtë mund ta provoj me një fakt që ju e njihni shumë mirë. Ne kemi dy vajza, por Alessandro dëshiron të kemi edhe një djalë, me çdo kusht. Ç'të bësh, vazhdues i denjë i traditës dhe besoj se ai do të qetësohet vetëm kur të ketë arritur "objektivin" e tij.

Riintegrimi i monumenteve të kulturës, në funksion të turizmit kulturor

Dhjetë zonat e para prioritare të monumenteve të kulturës, do të jenë baza e projektit pilot të MKRS-së, që synon riintegrimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke synuar në të njëjtën kohë dhe vënien e tyre në funksion të turizmit kulturor. Për të shpjeguar dhe konkretizuar më qartë këtë projekt, MKRS-ja organizoi dje një takim, me pjesëmarrjen e katër ministrive që do të operojnë në këtë projekt. Ishte i pranishëm në këtë aktivitet edhe zv.kryeministri Namik Dokle, i cili e ka ndjekur nga afër këtë projekt. Në fjalën e tij, ministri Klosi theksoi se "ruajtja e kësaj pasurie unikale nuk është e lehtë", duke shtuar se "më në fund po kuptohet që për të ndryshuar pozitivisht gjendja e sotme e monumenteve në Shqipëri, më tepër sesa fonde, kërkohet evoluimi në mentalitet e menaxhim të këtyre qendrave". Klosi la të kuptohet se ky projekt pilot synon midis të tjerash të krijojë kushte që të ndiqet praktika e zbatuar në disa objekte të trashëgimisë kulturore, të cilat janë shfrytëzuar nga individë të caktuar, duke investuar në to dhe ruajtur në të njëjtën kohë si destinacionin ashtu edhe vlerat e tyre. Gjatë takimit u nderuan me medalje Edmond Stafa, për kontributin e tij në Kalanë e Elbasanit, Ylli Kupi për Kalanë e Petrelës, Refik Kleli në lidhje me Urën e Tabakëve dhe Grigor Tavo për Kalanë e Lëkursit. Eshtë e qartë se, përveç bashkëpunimit me Zyrën e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Rregullimit të Territorit e Turizmit, Energjisë e Transportit si edhe asaj të Pushtetit Vendor, MKRS-ja synon të tërheqë edhe biznesin privat, i cili mundet jo vetëm të kontribuojë në restaurimin dhe ruajtjen e këtyre objekteve, duke i shndërruar ato paralelisht edhe në objekte tërheqëse për turistët e huaj dhe ata vendas.

l. olli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›