E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD miraton programin për fushatën zgjedhore 2005

26/11/2004  Partia Demokratike deklaroi nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e vitit 2005. Kryetari i PD-së, Berisha, ka thirrur dje në një mbledhje urgjente të gjithë kryetarët e degëve, ku u ka dhënë udhëzimet mbi fazën e parë të fushatës elektorale të opozitës, e cila do të zgjasë deri më 22 mars. Mbas kësaj date, sipas burimeve, kryetarët e degëve do të fillojnë përzgjedhjen e kandidaturave për përballjen e fushatës për zgjedhjet parlamentare. Të njëjtat burime janë shprehur se, dy kanë qenë orientimet që Berisha u ka dhënë kryetarëve të tij nëpër rrethe. "E para, ka të bëjë me paraqitjen e një imazhi ndryshe të PD-së, duke shfrytëzuar për këtë qëllim edhe festat e çlirimit, si dhe ato të fundvitit. Sipas kësaj faze, nuk do të operohet më vetëm me anë të mbledhjeve nëpër kryesitë e degëve, por me organizime aktivitetesh, të cilat do të kenë për qëllim paraqitjen e një imazhi ndryshe të PD-së në elektorat. Orientimi i dytë, që kanë marrë kryetarët e degëve në rrethe, ka të bëjë me afrimin e personaliteteve nga shoqëria civile, si dhe thithjen e individëve të paangazhuar më parë në jetën politike". Këtë urdhëresë, Berisha e ka përsëritur dhe në takimet e para një muaji në PD. Gjithashtu, është kërkuar që të mbahen më shumë kontaktet mes krerëve të bashkive të PD-së dhe qendrës së selisë blu. Ndërsa takimet e shpeshta me elektoratin janë cilësuar një tjetër element i rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme. Strategjia e ndarë në dy faza është konsideruar si një pikënisjeje nga demokratët, pasi, pas përzgjedhjes së kandidaturave, do të ketë dhe një tjetër program mbi rritjen e votuesve pro PD-së dhe bashkëpunimit me aleatët në opozitë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›