E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apartamentet shtetërore do shiten me çmimin e '93-it

26/11/2004  Të gjitha apartamentet e ndërtuara me fondet e shoqërive dhe ndërmarrjeve shtetërore do të privatizohen prej banuesve, me çmimin e periudhës së ndërtimit. Kuvendi vendosi dje që, kësaj shifre t'i shtohet dhe indeksi i rritjes së çmimit në kohë, sipas shifrave të paraqitura prej vendimeve të qeverisë. Gjithsesi, çmimi mbetet ende mjaft i ulët në krahasim me tregun aktual. Ndërsa privatizimi do të lejojë procedurën e hipotekimit të apartamenteve, që janë të shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ligji shkon në favor të 672 familjeve, 300 prej të cilave janë në Fier. Për këtë pikë kishte një përplasje mes Komisionit të Ligjeve dhe atij të Industrisë. Sipas deputetëve të Komisionit të Industrisë çmimi i shitjes së këtyre apartamenteve duhet të jetë ai i momentit të ndërtimit, duke i shtuar dhe indeksin e rritjes së çmimit. Kurse Komisioni i Ligjeve kishte parashikuar që çmimi të përshtatej me ligjin aktual të pronave. Megjithatë, përfundimisht u vendos propozimi i Komisionit të Industrisë.

Situata

Banorët në të 672 apartamentet prej disa vitesh nuk paguajnë as qira dhe nuk kanë as të drejtën e shitblerjes. Propozuesi i kësaj iniciative, Albert Çaçi, në qëndrimet e tij është shprehur se këto banesa nuk janë privatizuar, pasi ligji për legalizimin e ndërtimeve i vitit 1992 ka pushuar së ekzistuari në momentin që këto ndërtesa nuk kishin përfunduar ende. Ndaj dhe privatizimi i tyre nuk mbështetej në asnjë ligj, gjë që pezullonte dhe procedurën e shitblerjes. Kryesisht ligji parashikon zgjidhjen për godinat e ndërtuara prej shoqërive të naftës, të minierave dhe të tjera. Sipas juristëve të Kuvendit, propozimi është konform të ligjeve dhe Kushtetutës, ndaj dhe nuk do të krijojë asnjë konflikt. Vendosja e një çmimi të arsyeshëm ka ardhur nga fakti se në to qytetarët banojnë që në vitin 1993, ndaj dhe baza e çmimit duhet të jetë te ky vit. Tashmë do të pritet dhe vendimi i Qeverisë për të zgjidhur përfundimisht legalizimin e 672 ndërtesave.

Blerja

Duke nisur nga botimi në Fletroren Zyrtare, ish-punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore, që banojnë në këto ndërtesa, duhet të nisin interesimin e tyre pranë bashkive dhe ndërmarrjeve që kanë bërë ndërtimet, për t'u njohur me procedurat e privatizimit. Vetëm pasi të jetë kryer pagesa e vendosur me ligj, të 672 apartamentet do të kalojnë për hipotekim në favor të banuesve. Ndërsa llogaritja e çmimit pritet të zbardhet nga një vendim i Ministrisë së Financave, që më pas do t'ia bëjë të ditur dhe ndërmarrjeve, që kanë në pronësi të tyre këto apartamente. Kjo sepse vetëm ekspertët e kësaj ministrie do të llogarisin sa është rritja e çmimit, sipas vendimit të qeverisë, gjatë këtyre viteve.

Pallatet e periudhës së diktaturës

Gjatë periudhës së diktaturës, deri në vitin 1992, ishte traditë që vetë punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore, ndërtonin pallate, të cilat më pas i blinin. Kjo iniciativë është ndërprerë në vitin 1993, kur Shqipëria kaloi në sistemin e plotë privat. Ndërsa me një ligj të veçantë, të gjitha pallatet shtetërore do të privatizoheshin nga banorët. Në këtë mënyrë të gjitha pallatet kanë kaluar në pronë të qytetarëve, gjë që u pasua dhe me protesta nga ish-pronarët e tokave. Por, duke qenë se ligji pushoi së ekzistuari në fillim të vitit 1993, 672 apartamentet, që ishin në ndërtim e sipër, mbetën pronë e ndërmarrjeve shtetërore. Situata mbeti pezull deri dy muaj më parë, kur disa prej ndërmarrjeve që kanë në pronësi pallatet, u parashikuan të privatizohen. Kjo solli rrezikun për banorët e apartamenteve, ndërsa është ligji i sapomiratuar që zgjidh përfundimisht konfliktin

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›