E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, Statusi i Kosovës të caktohet para standardeve

26/11/2004  Kuvendi i Shqipërisë vendosi që në strategjinë për sigurinë kombëtare t'i përmbahet parimit se statusi i Kosovës duhet të vendoset para plotësimit të standardeve. Ky përcaktim është marrë pas amendamentit të paraqitur nga deputeti Alfred Cako, i mbështetur nga 48 deputetë të tjerë. Megjithatë, kundër këtij propozmi kanë qenë 30 deputetë. Ndryshimi i pikës së propozuar nga qeveria në lidhje me qëndrimin ndaj Kosovës, nuk ka sjellë përplasje mes forcave në parlament. Por ka qenë vota ajo që ka ndarë në mënyrë më të qartë deputetët. Megjithatë dhe në ndryshimet e bëra është kërkuar që të respketohet Rezoluta 1244 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Mbi të gjitha është vlerësuar se është vetë popullsia e Kosovës që duhet të përcaktojë se cili do të jetë drejtimi që do të marrë shteti i ri.

Qeveria

"Qëndrimi ka qenë dhe mbetet kurdoherë respektimi i plotë i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përmbushja e standardeve të përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar përpara statusit përfundimtar. Republika e Shqipërisë mbetet e palëkundur në qëndrimin se statusi përfundimtar i Kosovës është çështje që i përket popullsisë së saj dhe bashkësisë ndërkombëtare që e administrin atë, sikurse vazhdon të shprehet e bindur se pa zgjidhjen përfundimtare të këtij statusi, nuk mund të ketë stabilitet dhe integrim rajonal", thuhej në propozimin e qeverisë mbi Kosovën. Prej kësaj pjese, deputetët kanë ndryshuar qëndrimin e përcaktimit të statusit para standardeve.

Debati

Në ndryshimet e bëra në seancë, strategjia për sigurinë nuk do të cilësohet vetëm për Republikën e Shqipërisë, por Strategjia Kombëtare për Sigurinë në Republikën e Shqipërisë. Deputetët gjatë diskutimeve e kanë cilësuar formulimin e bërë nga qeveria si frikane, pasi nuk kërkohet në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtja e interesave të emigrantëve shqiptarë kudo ku jetojnë. Madje, u tha se, ndërsa janë nënshkruar konventat për të drejtat e njeriut, shqiptarët në botë ende nuk kanë mundësinë e shkollimit në gjuhën e tyre. Ndërsa është kërkuar që në angazhimet ndërkombëtare, të lejohet pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse dhe pa qenë nën flamurin e një shteti apo organizate tjetër. Për këtë është marrë si shembull pjesëmarrja në misionin në Irak, ku Shqipëria bën pjesë në koalicionin atiterrorizëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›