E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Prokuroria po heton sipas vullnetit të Nanos

26/11/2004  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Prokurorinë e Përgjithshme për bllokimin e zbardhjes së akuzës së Nikollë Lesit për përfshirjen e Nanos në një trafik armësh. PD i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, të bëjë transparencën e asaj që lidhet me mosveprimin e prokurorisë ndaj dy çështjeve, që kanë të bëjnë me akuzat ndaj Nanos, atë për trafik armësh dhe për një aksident me pasojë vdekjen e një qytetari në Shkallnuer të Durrësit. Sipas Berishës, dokumentet e përgjimit të publikuara nga Nikollë Lesi, janë mbajtur të mbyllura në Prokurori, deri ditën që janë paraqitur përpara parlamentit. "Prokuroria ëshë absolutisht organ që meriton hetim në këtë rast, sepse të dyja aferat, si Shkallunuri ashtu edhe biseda për anulimin e ligjit, për trafikun e armëve, janë mbyllur në prokurori deri në momentin që deputeti Lesi i paraqiti në parlamnet", tha kreu i PD-së. Sipas Berishës, organi i hetimit duhet të dalë dhe të bëjë transparencën se kush ka qenë urdhëruesi për fshehjen e fakteve. "Prokuroria po luan shumë me kredibilitetin e saj. Le të dalë dhe të bëjë transparencën se kush e pengoi të hetojë Shkallnuerin, të na thotë kush e pengoi të hapte hetimin për dokumentet për kasetën dhe transkripitin, që kanë ekzistuar në arkiv. E pengoi opozita, apo kush e pengoi? Pikërisht Prokuroria e Përgjithshme duhet të ishte objekt hetimi nga komisioni parlamentar dhe nuk duhet të pranonte rrugë tjetër, përveç zbardhjes të së vërtetës. Tani përpiqet të mbulojë çështjen sipas vullnetit të Nanos, të bëhet ortak me Nanon, por po i bën një dëm shumë të madh institucionit", tha Berisha. Nga ana tjetër, lideri demokrat u shpreh se rrëzimi i propozimit të opozitës për ngritjen e komisionit parlamentar për hetimin e Kryeministrit, është veprim antikushtetues. Në lidhje me çështjen nëse opozita do të ankimohet për këtë veprim apo jo, Berisha tha se "nuk mendon se Gjykata Kushtetuese do të pranonte të shprehej dy herë për të njëjtën çështje, sepse në fakt ajo e ka dhënë verdiktin përfundimtar, ku përcakton se komisionet ngrihen automatikisht, kur firmosin 35 deputetë". Sipas tij, bllokimi i hetimit, nuk shpreh gjë tjetër përveçse marrjen e përgjegjësisë nga ana e Kryeministrit, si për ngjarjen e Shkallnuerit, ashtu dhe për akuzën e Lesit. "Kryeministri zgjodhi midis hetimit transparent dhe marrjes së përgjegjësive individuale që i takojnë. Grupin parlamentar ai e ngarkoi dhe me dhunimin e Kushtetutës", përfundoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›