E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Pa dialog në tryezë, firmat janë vetëm spekulime

Kriza, PS: Ne firmosëm draftin, Berisha refuzoi

Penalizimi i mundshëm i Shqipërisë në proceset e integrimit ka si përgjegjës Kryeministrin Sali Berisha. Deputeti socialist, Besnik Baraj, deklaroi dje se dështimi i negociatave dhe mosarritja e një kompromisi kanë si shkaktar kryesor kreun e qeverisë që sipas tij refuzoi nënshkrimin e çdolloj marrëveshjeje që do të realizonte transparencën. “Ai ka frikë nga e vërteta, e transparenca, pasi ajo nuk kursen askënd as diktatorët sado të pushtetshëm të duken ata. Ne jemi të hapur, i bëmë hapat tanë drejt kompromisit, me të vetmin synim, ta radhisim Shqipërinë përkrah vendeve të BE jo vetëm për sa i përket lirisë së lëvizjes, pra vizave, por edhe të standardeve demokratike. I bëjmë apel Sali Berishës të reflektojë gjithashtu”, deklaroi Baraj. Të vetëdijshëm për faturën që mund të sjellë kriza politike që zgjat prej një viti, dy partitë kryesore në vend janë angazhuar së fundmi në një fushatë mediatike që synon fajësimin reciprok. Në këtë kuadër, PS prej kohësh po i përmbahet idesë së tolerimit dhe lëshimeve që iu bënë Berishës, të cilat sipas përfaqësuesve opozitarë ai i ka hedhur poshtë. “Sali Berisha nuk bën hapat e duhur për të provuar sa i ndershëm është. Ai ndodhet në pozitat e një vjedhësi që refuzon të tregojë e provojë pafajësinë e tij përpara gjykatësit popull. Kjo është e papranueshme për një vend me standarde demokracie”, vijoi më tej Baraj. Një ndërhyrje në këtë debat mediatik që duket se nuk po prodhon asgjë ka mbërritur dje edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila përmes sekretarit të Përgjithshëm të saj, Luan Rama, ka bërë thirrje për dialog. Sipas këtij të fundit ekzistojnë të gjitha mundësitë për një zgjidhje ligjore dhe kushtetuese, po që kushtëzohet nga nevoja për ulje të tensionit. Madje, sipas tij, edhe deklarimet e opozitës për firmosje të njëanshme draftesh janë spekulime. “Kam përshtypjen se ky qëndrim është spekulativ, sepse draftet rrëzohen apo pranohen kur palët janë ulur në tryezën e dialogut. Nga pozicione inekstremis apo nga bunker partish nuk mund të gjykojmë dhe nuk mund të konkludojmë se cili draft është pranuar apo cili draft është rrëzuar. Unë e quaj spekulim këtë qëndrim për sa kohë që palët nuk janë ulur ë tryezën e dialogut”, tha Rama.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›