Aleatët e mbetur nga koha e Hekuran Isait
Gjykata e Lartë e Shqipërisë pushoi gjykimin e dosjes së segmentit rrugor Rrëshen- Kalimash, me arsyetimin se hetimet janë zgjatur tej afateve dhe si rrjedhim veprimet hetimore janë të pavlefshme. Bëhet fjalë për një akuzë, e cila fillon me 220 milionë euro dëm shkaktuar buxhetit të shtetit shqiptar dhe me një dosje të hetuar brenda afateve ligjore, por që vendimi për t’u marrë i pandehur Lulzim Basha është marrë pas përfundimit të afateve. Nuk dua të bëj komente juridike për këtë vendim të gjykatës, pasi, siç shihet dhe nga faktet, të njëjtët gjykatës në vitin 2005 këtë çështje për një trafikant droge e kanë trajtuar ndryshe. Për më tepër, kjo nuk është një çështje shumë shqetësuese, pasi dosja e Lulzim Bashës nuk është mbyllur. Ajo thjesht do të detyrojë kryeprokuroren ta dorëzojë dhe njëherë dosjen në gjykatë dhe të fillojë dhe njëherë kalvari i heqjes së imunitetit të Lulzim Bashës dhe gjykimi i tij. E gjitha ç’ka fituar Lulzim Basha nga procesi i turpshëm gjyqësor dje, është koha. Ai s’ka fituar pafajësinë dhe as ka shpëtuar nga drejtësia. Shpresa e tij e turbullt është që ai të gjykohet, kur të jetë në opozitë dhe të marrë poza heroi si i persekutuar politik. Le të shpresojë…
Nuk dua po ashtu as t’u bie më qafë gjyqtarëve, pasi ata thjesht janë dorëzuar para presionit politik dhe financiar. Katër anëtarë të Gjykatës së Lartë preken nga ligji për dosjet, përfshi këtu dhe Spiro Spiron, kryetarin e këtij trupi gjykues. Agresioni mbi ta ka qenë i pashembullt. Sikur sot ata të kishin dhënë drejtësi, siç duhet të jepnin, dhe të fillonin procesin e gjykimit, Sali Berisha do dilte në konferencë për shtyp dhe do t’i kujtonte Spiro Spiros dhe Besnik Imerajt gjithë gjykimet që kanë bërë në kohën e komunizmit dhe gjithë “krimet” që ata mund të kishin bërë. Por ata u sollën “mirë” dhe tani nuk po u kujton më njeri të kaluarën. Kjo është dhe dyfytyrësia e kryeministrit Berisha me ligjin e dosjeve dhe arsyet pse ai e bëri atë ligj të pazbatueshëm dhe vetëm për presion politik. Argumenti kryesor që kishte Berisha, kur arsyetonte përjashtimin e gjyqtarëve të komunizmit nga gjykatat, ishin se ata s’kanë të drejtë të gjykojnë krimet e demokracisë. Në të vërtetë, sikundër kemi theksuar dhe më parë, ata nuk duhet të përfshihen në procese gjykimi, ku hetohen afera që shkojnë deri te kryeministri, pasi janë në konflikt interesi me të. Ata duhet të japin vetë dorëheqjen nga këto procese për t’i dhënë shanse drejtësisë të gjykojë me “duar të pastra” Sali Berishën. Por, në të vërtetë, gardianët më të fortë të Sali Berishës në drejtësi po bëhen njerëzit e inkriminuar nga diktatura. Besnik Imeraj, gjyqtari të cilin Berisha e lakoi publikisht si njeri të diktaturës, është realisht avokati më i madh i çështjes së Gërdecit dhe Fatmir Mediut. Ai ka qenë avokat i palës shqiptare për Fatmir Mediun, kur ky i fundit u dënua nga drejtësia italiane si shoqërues i një trafikanti dhe vrasësi në Milano në vitin 1999. Si partner dhe mik i Maritatit, ish-zëvendësshefit të antimafies italiane, Besnik Imeraj përgatiti gjithë mbrojtjen dhe shpëtoi nga burgu në Itali Fatmir Mediun, i akuzuar për trafikant. I njëjti gjyqtar tani është bërë avokati i çështjes së Gërdecit. Vajza e tij mbron Delijorgjin, kurse ai është 24 orë në kontakt me Ilirian Celibashin dhe Adrian Vishën për të shpëtuar Fatmir Mediun. Të njëjtin mision ia kreu dhe dje në gjyqin ndaj Lulzim Bashës. Siç shihet, Sali Berisha nuk ka shërbëtorë më të mirë se shërbëtorët e komunizmit dhe krimeve të asaj kohe. Njësoj si në media, që i ka mbetur njeriu i Hekuran Isait, që nuk e pranonin anëtar partie, se ishte i Sigurimit, ashtu dhe në drejtësi, besnikë dhe aleatë i kanë mbetur vetëm ata që kanë bërë krime gjatë komunizmit.
Ajo që dua të përsëris sot, është fakti i turpshëm që ky burracak nuk guxon të ballafaqohet me drejtësinë, por shpreson të fitojë kohë duke shtyrë gjyqet. Unë e kuptoj që, nëse Lulzim Basha do të ishte një njeri i zakonshëm, që do ishte kapur me drogë apo vjedhje, si qytetar sot mund të ishte i gëzuar, se kishte mbetur jashtë burgut. Por Lulzim Basha është në politikë për shkak të një lëvizjeje politike që ngjalli shpresa te shqiptarët katër vjet më parë, se do të luftohej korrupsioni dhe do të qeverisej me duar të pastra. Ky njeri dhe shefi i tij kanë detyrime para shqiptarëve të japin shembuj të pastërtisë dhe luftës ndaj korrupsionit. Dhe sikur Ina Rama të mos kish dërguar fare dosje në gjykatë, ata duhet të flinin para derës së Gjykatës së Lartë për t’iu lutur asaj t’i gjykonin akuzat për ta. Nëse ata janë të pastër në këtë histori, ata duhet medoemos t’i hapnin rrugë gjykimit të tyre.
Ajo që ndodhi dje, nuk ka asnjë domethënie pozitive për Lulzim Bashën. Madje, prej dje ai është ngulitur në mendjen e shqiptarëve si HAJDUT, pasi i dridhej zëri nga gëzimi që kishte fituar disa muaj liri, derisa dosja të rikthehet në Gjykatë të Lartë.
Ajo që ndodhi, nuk ka ndonjë domethënie të keqe as për drejtësinë, përveç faktit që ish-sigurimsat janë të trembur nga Sali Berisha. Se dhe fakti që dosja u vonua disa javë pas afatit, lidhet po ashtu me një ish-sigurims, prokuror, që u tremb nga ligji i Sali Berishës dhe dha dorëheqjen. Kështu që ky proces gjykimi ndaj miliona eurove të humbura nga buxheti i shtetit mund të na shërbejë për të krijuar një praktikë gjyqësore më korrekte dhe po ashtu mund të na japë të drejtë të gjithëve të kërkojmë që njerëzit e inkriminuar nga drejtësia të mbahen larg çështjeve politike.
Ajo që ndodhi dje, në fund të fundit ka një domethënie pozitive për të gjithë ata që kanë denoncuar aferat korruptive të kësaj shumice. Ata janë të qetë, se po iu provohet para syve, se qeveria nuk guxon të ballafaqohet në drejtësi me akuzat e ngritura ndaj saj. Ajo është në panik për çdo proces gjyqësor të hapur për dosjen e Gërdecit, për abuzimet në rrugën Rrëshen-Kalimash, për dosjen Fazlliç, për aferat e ARMO-s dhe privatizimeve, e deri te kapja e shtetit nga elementët korruptivë të së djeshmes. Seanca e djeshme provoi se kjo qeveri nuk do të ballafaqohet me drejtësinë dhe do të bëjë ç’është e mundur t’i degradojë këto procese gjyqësore. Aleatët e vetëm që i kanë mbetur Berishës tani, janë ish-gjyqtarë dhe prokurorë të komunizmit, biznesmenë që i ka akuzuar për trafikantë, ish-kryetarë KQZ-sh si Celibashi që e ka akuzuar për vjedhje votash, ish-prokurorë si Adrian Visha që e ka akuzuar si kreun e “Hakmarrjes për Drejtësi”, dhe natyrisht njerëz të Hekuran Isait në media. Dhe ky është një sinjal në kohën e duhur, para ballafaqimit me qytetarët më 28 qershor.