E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filipi, “xhelati” shqiptar i Portos



Është me të vërtetë një sezon për të mos u harruar për Brian Filipin në radhët e skuadrës italiane të Ravenës. Gazeta italiane “La Voçe” i ka kushtuar një artikull të gjatë sulmuesit të ri shqiptar, i cili shënoi golin e dhjetë të tij në fitoren 3-2 të Ravenës në transfertën e Padovës, e vlefshme për javën e 28-të të Serisë C1. Në eksperiencën e tij të parë si lojtar profesionist, pas një serie provash të suksesshme me ekipet e moshave (në dy vitet e fundit kaloi nga rinjtë e Çervias për të diskutuar një kampionat prej protagonisti absolut me bluzën e verdhekuqe të Ravenës), sulmuesi i Kombëtares shqiptare U-21 (së fundi luajti në përballjet kundër Skocisë U-21), ka dhënë sinjale të qarta se ka në gjak aftësinë e golashënuesit të lindur.
“Nga kutia e tij magjike mund të dalë gjithçka: asisto të shkëlqyer, mure të dobishëm që e bëjnë lojën të rrëshqasë, gola që të bëjnë të shpërthesh si gështenjat nga zjarri. Ky është ‘Magic box’ Filipi, zbulimi më i qartë i këtij sezoni verdhekuq (Ravenës), dhe që po u jep shumë kënaqësi, me golin që bëri të shpërthente Euganeo”, - shkruante “La Voçe” e ditës së mërkurë, 8 mars 2009.
Vetë Filipi për gazetën italiane thotë: “Të shënoje para 5 mijë vetave ishte shumë bukur, por e vetmja gjë që kishte me të vërtetë vlerë në atë ndeshje ishte fitorja. Në intervalin e dy pjesëve, vuajtëm pak nga protagonizmi i kundërshtarëve, por trajneri ynë u tregua i zoti për të përzierë kartat, duke ndryshuar modulin tonë të lojës. Rezultati u pa nga të gjithë (Ravena fitoi 3-2 me Padovën)”.
Ishte “Magic box” (“kutia magjike”, siç thirret Filipi te Ravena) që zgjidhi edhe ndeshjen, duke shënuar një gol prej një “xhelati gjakftohtë” të shoqëruar me një fat, që nuk i mungon kurrë. “Kur pashë që Shagaluga më hodhi në zonën e penalltisë, mendova se do të ishte më mirë që t’ia jepja topin Trotës, por kur një mbrojtës i Padovës doli huq me ndërhyrjen e tij, e më pas dhe qendërmbrojtësi tjetër, të cilin e ç’ekuilibrova lehtësisht me krah, atëherë në këtë moment u gjenda i vetëm përballë Kanos e gjithçka u bë më e thjeshtë për ta zhytur topin në rrjetë”, - rrëfen Filipi realizimin e golit të tij. Briani është golashënuesi i dytë më i mirë sezonal i Ravenës, dhe ka një mesatare shënimi të kënaqshme.
“Ndonjëherë i hedh edhe unë sytë këtij klasifikimi, por jo sa të kërkoj të humbas mendjen. Megjithatë, duke marrë në konsideratë edhe golat në Kupën e Italisë jam duke shkuar në një mesatare një gol për ndeshje”, - thotë Briani, i cili në fakt nuk është se po luan si një sulmues i mirëfilltë. “Trajneri është i bindur se unë kam cilësi për të luajtur mirë edhe si anësor, pasi kam një farë lehtësie edhe për të vrapuar shpejt, por unë e gjej më mirë veten në pozicionin e një sulmuesi të pastër, pasi arrij të lexoj lojën parakohe lëvizjet e mbrojtësve dhe të jem në momentin më të rëndësishëm të aksioneve, por megjithatë ndihem mirë edhe në rolin tjetër”.
Filipit nuk i pëlqen të vendoset në fushë si mesfushor i mirëfilltë, ashtu siç i ndodhi atij në ndeshjen me Shqipërinë U-21 kundër Skocisë para disa ditësh. “Nuk e di se përse trajneri I Shpresave (Artan Bushati) vendosi, që unë të luaj në atë pozicion. Sigurisht që nuk shkoi mirë, pasi ne e humbëm ndeshjen dhe unë nuk luajta. Por Kombëtarja është kombëtare. Për mua është një emocion special të përfaqësoj vendin tim”, - tha Filipi.
Në fundjavë Briani do të rigjejë përballë skuadrën e Portosumagës, së cilës i ka shënuar dy gola në dy ndeshjet e mëparshme sezonale. “Thuhet gjithmonë se nuk ka dy pa tre, megjithatë...Bëj shaka, pasi të shtunën nuk ka rëndësi kush do të bëjë gol, por vetëm që Ravena të shpërthejë nga gëzimi në fund të ndeshjes. Shpresojmë ta bëjmë”

Bomberi i dytë më i mirë

Midis Kupës së Italisë, Kupën Tim, Lega Pro e kampionatin Prima Divisione, lezhjani 19-vjeçar ka shënuar dhjetë gola në 22 ndeshje të aktivizuara (5 në Kupë e 17 në kampionat), duke e shndërruar shqiptarin golashënuesin e dytë më të mirë të Ravenës gjatë këtij edicioni pas Zizarit. Tre golat e fundit të tij në kampionat, Filipi i ka shënuar si zëvendësues: kundër Leganos shënoi pas vetëm 8 minutave aktivizim, kundër Lumezanes pas vetëm dy minutave aktivizim dhe ndaj Padova pas 20 minutave.

GOLAT E FILIPIT

Kupa Tim
Ravena-Kastelarano 5-1 (1 gol)

Kupa e Italisë Lega Pro
Ravena-Portosumaga 3-1 (1)
Spal-Ravena 2-3 (2)
Ravena-Foxha 2-3 (2)

Kampionat
Portosumaga-Ravena 2-1 (1)
Lenjano-Ravena 1-1 (1)
Ravena-Lumezane 2-0 (1)
Padova-Ravena 2-3 (1)

Në total: 10 gola

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›