Barra e Ballkanit
Ne jemi të kënaqur që morëm pjesë në këtë takim rajonal... dhe mund t’ju them që kur dëgjojmë koleget dhe kolegët tanë të vendeve fqinje, atëherë mund të konstatojmë që legjislacioni dhe strukturat tona të funksionimit të Kuvendit të Kosovës sidomos në kontekstin e auditimit të brendshëm, janë dukshëm përpara parlamenteve të vendeve të tjera në rajon. Kështu, pak a shumë, i përgjigjej një parlamentare (nga radhët e opozitës) e jona para disa muajsh pyetjes së gazetarit për “përvojat” që kishte marrë nga ai takim i organizuar (nga OSBE) në Shkup. Nuk e di pse më ishte ngjizur në mend ky konstatim i saj. Ndoshta për këtë çast. Sepse as edhe një germë nuk mund t’ia heqim konstatimit të saj. Ajo që ajo thotë, qëndron. Kosova, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ka një legjislacion dhe qasje shumë më të avancuar sesa shumë vende të tjera të rajonit. Kur në Kosovë i është ikur informalitetit vendet e rajonit e kanë parë në ëndërr. Ose për të qenë edhe më pezhorativ, kur mësuesit tanë i ka shkuar rroga mujore në numrin e llogarisë kolegu i tij nga Shqipëria apo Serbia ende i ka marrë lekët apo dinarët në zarf. Këto dhe këso detajesh janë më tepër se të rëndësishme për ecjen drejt procesit të integrimit dhe më vonë edhe bashkimit me asociacionin e Bashkimit Evropian. Dhe për këto e këso ecjesh, deshëm a nuk deshëm, duhet t’i jemi mirënjohës pranisë masive të bashkësisë ndërkombëtare dikur UNMIKISTAN e tash Republikën e Kosovës. Shikoni vetëm zyrat e zyrtarëve të Kosovës. Veturat dhe protokollet. Ueb-faqet dhe kolltukët. Kollaret dhe stafet.
Situata është më tepër se paradoksale, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe fqinjët e saj për aderim në BE.
Derisa vendi ynë i ka ato që fqinjët tanë nuk i kanë - legjislacionin modern, euron, ligjet me formë e përmbajtje që përmbushin kriteret e BE... vendet fqinje kanë ato që Kosova nuk i ka: administratën shumë më efektive sesa tonën, përkushtimin dhe përvojën drejt punës së shpejtë për ta ndërruar teknikën, formën dhe përmbajtjen e ligjeve, logjistikën diplomatike, si në vendet e pranishme, ashtu edhe në shtëpi dhe, para së gjithash, mungesën e pengesave që anëtareve të tjerë të BE (si Spanja, Sllovakia, Qipro, Greqia, Rumania), mund t’ua nxjerrin për aderim në Bashkimin Evropian.
Një situatë e pashoqe. Por po aq edhe reale. Dhe në këtë kontekst Kosovës së vogël dhe ende kaq të brishtë nuk i mbetet gjë tjetër pos të fillojë të mendojë shumë seriozisht se çfarë duhet të jetë prioritet i saj për kapërcimin e këtyre pengesave. Është tepër të thuhet që këto prioritete mungojnë - si te pozita (lexo: koalicioni qeverisës), ashtu edhe opozita (e cila po përton të japë alternativa). Nuk mundet Kosova me këto kapacitete të (pa)dëshmuara, të cilat përkufizohen në menaxhimin e qetësisë dhe situatës “së qëndrueshme” në vend dhe sidomos në veri, ta bindë as një Spanjë e po aq një Rumani të na njohin, ashtu siç nuk mundet që “të aktivizojë” diplomacinë e saj për lëvizjen para drejt BE.
Prandaj, them se duhet punuar në shtëpi. Vetëm nëse Kosova dhe para së gjithash institucionet e saj bëjnë atë që quhet ecje me hapa më të shpejtë sesa të tjerët rreth nesh, mund të krijohen kushtet për “raportet kontraktuale”, për të cilat komisari për Zgjerim, Olli Rehn, edhe foli dje në Bruksel. Mirëpo, tash për tash nuk po shihet kund në horizont një tendencë e tillë tek institucionet tona. Mungon edhe vrulli, edhe thellësia për qasjen në fjalë. Dhe kjo mungesë do të kushtojë vite të tëra. Tash për tash jemi në situatën kur, na pëlqeu apo jo, duhet të jetojmë me fjalët e kancelares Merkel që “nuk mund të japim shpresa” për anëtarësim të shpejtë të vendeve të Ballkanit. Dikujt mund t’i duken fjalë të rënda dhe pavend, por ajo që gjithmonë ka mbretëruar dhe mbretëron te diplomacia gjermane është mënyra nganjëherë edhe jodiplomatike e shprehjes së fakteve. Dhe fakt është që askush, as në Berlin, por as në Bruksel, Paris a Londër nuk pret që me këto klasa politike të Ballkanit mund të ketë lëvizje që do ta kryejnë “anëtarësimin”. Lodhja, për të mos thënë tronditja që BE i kanë shkaktuar sidomos Bullgaria dhe Rumania, jo vetëm që e kanë shtyrë në kohë anëtarësimin e vendeve të tjera, por, kur ne të hyjmë në BE, çdo gjë do shkojë shumë më ndryshe. Prandaj, le të qetësohemi dhe pajtohemi me faktin që ka edhe shumë, tepër shumë punë për anëtarësim. Ndoshta për zgjedhjet e ardhshme (dhe jo këto tashti që janë në qershor), do të flitet për këtë çështje më shumë. Tash për tash tema është kriza (ndërkohë) tmerruese globale. 492 milionë qytetarët e BE me përfaqësuesit e tyre në Bruksel nuk e kanë kund në axhendë anëtarësimin as të 1 e as të 20 milionë banorëve të Ballkanit. Kjo barrë do kohë.