Kriza, importet e pajisjeve dhe makinerive bien me 72% në 3 muaj
Ekonomia shqiptare ka hyrë në një fazë ngadalësimi shumë të madh, aq sa importet e makinerive dhe të pajisjeve për makineri e linja prodhimi gjatë tre muajve të parë të këtij viti kanë rënë me rreth 72% në krahasim me ato të tre muajve të parë të vitit të vjetshëm. Të dhëna të Ministrisë së Financave bëjnë me dije se i tërë aktiviteti tregtar i vendit ka rënë ndjeshëm në këta muaj të parë dhe ku sigurisht veç eksporteve edhe importet kanë ndjekur të njëjtën trajektore rënëse. Të dhënat për importet e bëjnë edhe më të zymtë pamjen, nëse do të shohim shifrat mbi zërat e veçantë të tyre, ku importet e ushqimeve kanë rënë në vlera shumë të ulëta, importet e karburanteve janë edhe ato në po të njëjtat shifra. Importet e materialeve të ndërtimit kanë rënë me mbi 42% dhe vijnë menjëherë pas atyre të makinerive, të pajisjeve për makineri dhe linja prodhimi. Kjo do të thotë se biznesi është duke pakësuar në mënyrë shumë të vrazhdë investimet dhe se aktiviteti ekonomik në përgjithësi ka rënë. Industria e ndërtimit, siç dihet, është në krizë shitjesh prej kohësh dhe kjo është pasqyruar edhe në importet e materialeve të ndërtimit, të cilat kanë ulur importet me 42%, siç thonë të dhënat e Ministrisë së Financave. Të dhënat mbi rënien e eksporteve janë edhe më të ashpra, kryesisht dominohen nga shifra shumë të ulëta të prodhuesve me mall të porositur dhe në rast se nuk do të kishte një eksport të rëndësishëm të energjisë elektrike gjatë këtyre muajve, të dhënat do të ishin vërtet shumë domethënëse për gjendjen e vështirë të aktivitetit ekonomik në vend. Të dhënat për nivelin e ngadalësuar tregtar dhe ekonomik të vendit nisën të shfaqen që në fund të verës së shkuar dhe që në atë kohë Fondi Monetar Ndërkombëtar me mjaft kujdes tha se vendi do të futet në një fazë vështirësish duke u nisur edhe nga fakti se edhe potenciali taksapagues i biznesit është duke rënë. Më pas nisën të shfaqen efekte të rënies në ekonomi dhe në muajin janar të këtij viti Banka e Shqipërisë publikoi të dhëna, ku importet dhe eksportet e vendit kishin rënë qartë. Kjo gjë tashmë shumë është më e dukshme dhe është bërë edhe më domethënëse, kur shifrat e rënies së importeve kanë kapur nivele të larta në zëra si ai i materialeve të ndërtimit dhe pajisjeve për makineri.