E Diel, 1 Nëntor 2026

Kunata e Balliut, mbi 100 milionë euro tendera me partnerë serbë

Nga Tema

Ish-kryeredaktorja e gazetës “55”, Blegina Kodra, kunata e Fari Balliut, është bashkadministratore me një shtetas serb në një kompani të ndërtimit të rrugëve në Tiranë, e cila ka fituar mbi 100 milionë euro tenderë nga qeveria shqiptare. Kompania e regjistruar më 27 korrik të vitit 2007 në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, në kohën kur Blegina Kodra ka qenë dhe Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, përbën një konflikt të pastër interesi, pasi një zyrtare civile nuk mund të përfitojë fonde nga buxheti i shtetit në një aktivitet privat. Kompania e bashkëdrejtuar nga Blegina Kodra dhe Sllobodan Markoviç fitoi tenderin e ndërtimit të rrugës Vlorë-Levan dhe më pas segmentit kryesor të rrugës Levan-Tepelenë. Ajo po ashtu ishte fituesja e tenderit për ndërtimin e mbikalimit të Tiranës.

Kryeministri, Sali Berisha, ka shkelur ligjin duke paguar me vendimin nr. 621, datë 24 shtator 2007, dhjetë për qind të shumës së tenderit për rrugën Vlorë-Levan, që përbën vlerën e paradhënies së kontraktorit.

Duke qenë se Blegina Kodra në të njëjtën kohë ka qenë dhe Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Turizmit dhe administratore e kompanisë që ka fituar tenderin prej rreth 70 milionë eurosh nga qeveria, ka shkelur ligjin dhe mund të ndiqet penalisht. Ky vendim qeverie është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 126, dhe përbën provë për ndjekje penale për ish-zyrtaren e lartë të Ministrisë së Turizmit, e cila nga ana tjetër ka përfituar nga fondet publike.

Historia e fondeve të rrugës Vlorë-Levan u komplikua nga vendosmëria e kryeministrit, Sali Berisha, për të mos filluar punimet në aksin Levan-Tepelenë. Duke qenë se të dy akset, si ai Vlorë- Levan dhe ai Levan-Tepelenë, do të financoheshin nga BERZH, kjo e fundit bllokoi kredinë, derisa qeveria të bindej për t’i hapur rrugë projektit Levan-Tepelenë, që ka qenë i gatshëm që nga koha e pushtetit të socialistëve. Berisha, i cili u bë pengesë për këtë projekt, i hap rrugë në vitin 2008 atij, kështu që në vitin 2007 paradhënia për fituesin e tenderit Vlorë-Levan u pagua nga buxheti i shtetit, çka përbën dhe abuzimin e pastër të kryeministrit Berisha me një zyrtare, vartëse të tij.

Ligji shqiptar ta ndalon kategorikisht që shpenzimet e planifikuara për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të kalojnë, qoftë edhe me një vendim qeverie, në fondin e paradhënies për ndërtimin e një rruge apo të kujtdo prokurimi tjetër publik. Sipas tyre, me vendimin për të kaluar një fond nga zëri i TVSH në zërin paradhënie për kontraktorin, është bërë një shkelje e pastër, për të cilën legalisht përgjigjet dikasteri që ka përgatitur projektin. Fakti që përfituese në këtë mes ishte një zyrtare me mbështetje politike, duket se ka nxitur shkeljen ligjore.

Skandali me ndërtimin e segmentit Vlorë-Levan ishte dhe më i gjerë se kaq. Në kushtet kur BERZH nuk kishte prerë ende shiritin, Berisha shkoi në Vlorë dhe preu shiritin para zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Ministri i Transportit në atë kohë, Lulzim Basha, u bë mburojë e gënjeshtrës publike të kryeministrit dhe fliste për fillim të një rruge, kur ende nuk ishte miratuar kredia dhe ende nuk ishin bërë shpronësimet. Në përurim të rrugës mori pjesë nënkontraktori shqiptar, pra firma e kryesuar nga Blegina Kodra, si dhe zyrtarë të lartë të qeverisë.

Nënkontraktorja shqiptare e rrugës ishte firma “Alban Tirana”, e përfaqësuar nga Gëzim Kolaveri, lidhjet e të cilit me botuesin Balliu zhvillohen përmes një tjetër kompanie, ku pronarë janë vajza e zotit Balliu dhe djali i zotit Kolaveri.

Pavarësisht problemeve ligjore që hapte ky prokurim, kryeministri u premtoi vlonjatëve fillimin e autostradës për Levan dhe mbarimin sa më shpejt të saj.

Dy vjet më pas, ende në autostradë nuk është bërë asnjë kilometër, ndërsa kunata e zotit Balliu e ka marrë paradhënien prej 7 milionë eurosh dy vjet më parë.

Kunata e Balliut, partnere me shtetas serbë

Blegina Kodra, ish-kryeredaktore e gazetës “55”, e reklamuar si gazetë “nacionaliste” dhe “patriotike”, në të vërtetë rezulton partnere me shtetas serbë. Fillimisht ajo kishte partner Sllobodan Markoviç, shtetas serb i lindur në Beograd dhe më pas Marko Dimitrijeviç, po ashtu shtetas serb. Të dy partnerët kanë marrë autorizim nga kompania “Alpine” me qendër në Austri të hapin së bashku një filial të saj në Tiranë dhe të jenë përfaqësuesit e saj ligjorë.

Fenomeni i bizneseve serbe në Shqipëri lulëzoi pas vitit 2005, kur në pushtet erdhi Partia Demokratike. Fillimisht ata u shfaqën në sektorin energjitik, më pas në ndërtimin e rrugëve si partnerë të botuesit të gazetës “55”, dhe kulmi u arrit me Damir Fazlliç, i cili u bë shitësi kryesor i energjisë elektrike përmes kompanisë “Rudnap Energji”. Një tjetër biznesmen i madh serb ka blerë një rrjet supermarketesh në Shqipëri dhe ishte në tentativë për të blerë licencën e katërt celulare në vend.

Tenderët e tjerë të fituar nga partnerët serbë të Balliut

Kompania me partnerë kunatën e zotit Balliu dhe një shtetas serb ka fituar mbi 100 milionë euro tenderë. Tenderi i saj kryesor mbetet ai i rrugës “Levan-Vlorë”, në të cilën ka lobuar personalisht ish-ministri Lulëzim Basha. Më pas ajo fitoi një nga dy segmentet e rrugës Levan-Tepelenë, me vlerë 28.6 milionë euro dhe objekti i tretë është mbikalimi i Kamzës, me vlerë 8.5 milionë euro, akorduar nga qeveria italiane.

I vetmi që ka përfunduar nga këto objekte është mbikalimi në hyrje të Tiranës, i cili nuk është marrë ende në dorëzim nga Ministria e Punëve Publike për shkak të cilësisë jashtë standardeve të tij. Në atë mbikalim pati dhe një viktimë për shkak të punimeve jashtë standardit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›