Aleatët e opozitës, paketë kushtesh për Lajçak
Opozita ka vendosur që të gjitha dyshimet që ka për procesin e ardhshëm zgjedhor, t’i konkretizojë në një paketë kushtesh, që duhen plotësuar me ndihmën edhe të faktorit ndërkombëtar. Për një gjë të tillë kanë rënë dakord dje aleatët opozitarë, gjatë takimit që kanë zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste, nën drejtimin e Edi Ramës. Takimi është zhvilluar para mesditës dhe ka zgjatur përafërsisht një orë. Aleatët janë informuar nga kryetari i PS-së, mbi nevojën e një koordinimi të veprimeve dhe qëndrimeve politike të opozitës, gjatë ditëve në vijim, sidomos përsa i përket masave që duhet të merren, për sa i përket realizimit të kushteve të nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. E ndërsa në takim nuk kanë munguar zëra radikal, për të mos hyrë në zgjedhje në këtë situatë, kreu i opozitës Edi Rama ka siguruar ata se do të kërkohet me ngulm, që për të zhvilluar zgjedhje normale, të garantohen më parë disa kushte teknike. Për këtë qëllim, Rama ka informuar se kushtet që do të hartohen do t’i vihen në tryezë të dërguarit special të Komisionit Europian, Miroslav Lajcak, gjatë vizitës që ai pritet të zhvillojë javën e ardhshme në Tiranë, në mënyrë që ky i fundit t’ia paraqesë për zgjidhje kreut të qeverisë. Megjithëse në takim nuk është fol me detaje për këto kushte, në mënyrë të përgjithshme është vendosur theksi te tre shtylla të rëndësishme: aksesi për të kontrolluar sistemin e listave të zgjedhësve, krijimin e kushteve për të verifikuar kartat e identitetit, si dhe rikompozimi i KQZ-së, nëpërmjet një formule të re. Realisht këto janë tre kushte që janë bërë publike edhe më parë nga PS, nëpërmjet numrit dy të saj, Gramoz Ruçi, i cili gjatë një emisioni televiziv bëri të qartë se plotësimi i tyre është jetik, për të pasur një proces zgjedhor të pranueshëm nga të gjithë. Gjatë takimit ka pasur edhe zëra të tillë, që kanë qenë kundra bindjes për çdo kërkesë të faktorit ndërkombëtar, siç ka qenë edhe ai i Spartak Ngjelës.