PD: Rama nuk i shpëton dot përgjegjësisë
Partia Demokratike vijoi dje sulmet ndaj kreut të opozitës, Edi Rama, duke u përqendruar te jeta private. “Edvin Kristaq Rama, njeriu që dhunën e ka model të jetës, dhunën e ka platformë politike. Ky njeri, lëvizjen për emancipimin dhe dinjitetin e gruas, kërkon ta zëvendësojë me haremin e tij politik”, u shpreh deputetja Ledina Alolli. Sipas saj, kreu i opozitës është njeriu monument i dhunës ndaj grave, ndaj nënës, ndaj fëmijës dhe bashkëshortes së tij. “Ai që rreh gruan e tij në publik. Ai që mohon djalin e tij. Ai që çoi në spital psikiatrik nënën e fëmijës së tij. Ai që nxjerr bashkëshorten e tij lakuriq plazheve të botës”, theksoi Alolli. Ajo këmbënguli se asgjë nuk e shpëton atë nga përgjegjësia ligjore politike e organizimit të grushtit të shtetit të 21 janarit.