Aleatët paralajmërojnë PS: S`hyjmë në koalicion, pa firmosur marrëveshje

Efeket e para të pakënaqësive të aleatëve të socialistëve për mos ndryshimin e sistemit zgjedhor, duket se do të reflektohen që në takimin e parë të koalicionit së opozitës së bashkuar.
Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, në një intervistë për Ora News deklaron se partitë e vogla nuk do të hyjnë në zgjedhje si një trup i vetëm, pa nënshkruar më parë një marrëveshje, në të cilën të marrin garanci nga PS-ja se do t`i trajtojë aleatët si partnerë.
“Gjatë ditëve të ardhshme do kemi takime intensive me drejtues të PS-së, por dhe me partnerë të tjerë, do kërkojmë një marrëveshje të përcaktuar, ruajtjen e votës dhe respektimin e partneritetit” tha Milo.
Nga ana tjetër, Milo zbulon se prej ditësh Partia Demokracia Sociale ka nisur takimet për të hartuar strategjinë për marrjen e sa më shumë votave në zgjedhjet e 2013-tës.
“Kemi ditë që kemi filluar takimet. Do të mbledhim në bazë kalendari të gjitha strukturat në rrethe” deklaroi ai.
Në zgjedhjet e fundit Partia Demokracia Sociale denoncoi vjedhjen e votave, fakt që sipas Milos nuk do të lejohet të ndodhë edhe në votimin e ardhshëm.