E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani mesazh deputetëve: Konsensus për statusin

Kreu i Shtetit shprehet se në prag të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, është momenti që të jepen kontribute konkrete.

“Vullneti dhe dëshira për ta pasur vendin tonë një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian kërkon kontribute reale. Në këtë kuadër, nxis forcat politike të punojnë bashkërisht për të arritur realizimin e detyrave të rëndësishme të parashikuara në 12 prioritetet e Bashkimit Evropian, përpara daljes së raportit të përparimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë”, thuhet në mesazhin e Presidentit.

Nishani thotë se vijmë në këtë 100 vjetor me disa arritje të rëndësishme historike, si anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë e qytetarëve në hapësirën Shengen dhe arritjet në procesin e integrimit evropian-sipas tij-janë gurë të rëndësishëm kilometrikë që janë bazuar dhe bazohen në merita. “Dëshiroj me këtë rast të nënvizoj rëndësinë e angazhimit të të gjithë deputetëve në heqjen apo kufizimin e imunitetit si një kontribut të vendosjes së një standardi politik dhe ligjor të nevojshëm për një shoqëri dhe një vend që aspiron vlerat evropiane të shtetit ligjor dhe të së drejtës. Vijimi i angazhimeve të nisura nga të gjitha palët në ligjet e rëndësishme të lidhura me reformën në drejtësi dhe me jetën parlamentare, do të shënonte një kontribut të merituar për shtetin shqiptar”, thuhet më tej.

Sipas Presidentit Nishani, “kemi në dorë fatin tonë dhe duhet të bëjmë gjithçka për të arritur këto standarde në një kohë sa më të shkurtër të mundshme”. “Konsensusi i dëshiruar politik, dialogu, toleranca dhe bashkëpunimi i synuar do t’i hapin rrugë një procesi normal zgjedhor ku parashikohet të hyjë vendi ynë në vitin e ardhshëm. Në përfundim të këtij mesazhi, më lejoni dhe njëherë t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta për mbarëvajtjen e suksesshme të sesionit të ri parlamentar që ju sot po nisni dhe t’ju garantoj se tek Institucioni i Presidentit të Republikës do të gjeni një partner të besueshëm, të orientuar thellësisht tek Kushtetuta dhe ligji, në realizimin e sfidave mjaft të rëndësishme në këtë 100-vjetor të Pavarësisë!”, përfundon mesazhi i Kreut të Shtetit. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-09-03 11:17
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›