E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët, “pazar” ndaj Dukës për kreun e FSHF

 Leonard KarajRudi Vata dhe Sulejman Starova priten që të takohen sot për të zgjedhur kandidatin e vetëm dhe shpalosur projektin me të cilin do të dalin në zgjedhjet e 9 marsit për kreun e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit. Nuk ka ende një emër të përveçëm gjithpërfshirës, sipas tyre që do të dalë kundër presidentit aktual të FSHF-së, Armand Duka në zgjedhjet e 9 marsit për kreun e ri të këtij institucioni. Fakt është se opozitarët e presidentit aktual kanë rënë në ujdi që për zgjedhjet e këtij viti të dalin me një kandidat të vetëm. Një gjë e tillë do të ruajë sipas tyre unitetin e grupimit si dhe do të ndihmojë më shumë në fitoren e mundshme në garën për Njëshin e FSHF-së. Mendohet se një kandidat i vetëm në zgjedhje kundër kreut aktual të federatës nuk do të përçante votat e pjesës opozitare sikundër ndodhi katër vjet më parë ku në garë kundër Armand Dukës u paraqitën dy kandidatë: Salvador Kaçaj dhe Edmond Haxhia. Këta dy të fundit nuk morën më shumë se 19 vota duke bërë të munduar që Armand Duka të rimerrte edhe për katër vjet drejtimin e federatës. Pikërisht kësaj gjëje i ruhen një pjesë e njerëzve të sportit që duan ndryshimin në FSHF ndaj edhe gjatë këtyre ditëve ka pasur mjaft biseda dhe negociatat për të gjetur personin e duhur kundër presidentit aktual Armand Duka. Ky i fundit ka zyrtarizuar kandidaturën për një katër-vjeçar të tretë në krye të federatës duke nisur edhe fushatën e tij zgjedhore. Si fillim ai ka qenë në Kavajë (të enjten) ku ka përuruar fushën stërvitore të Besës dhe dje ka inauguruar një tjetër fushë stërvitore, atë të Dinamos, në kompleksin stërvitor të këtij klubi. Ndërkohë sot pritet që kandidatët e përfolur Rudi Vata dhe Sulejman Starova, por jo vetëm, të takohen për të vendosur pikët mbi i lidhur me kandidimin dhe zyrtarizmi do të bëhet ditën e hënë. Asambleja Zgjedhore e këtij viti sipas vendimit të marrë nga Komiteti Ekzekutiv do të zhvillohet në hotel “Adriatik” në Durrës, teksa dy të parat janë zhvilluar në kryeqytet, respektivisht në Pallatin e Kongreseve dhe Hotel “Tirana International”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›