Pallati rrezikon shembjen, banorët jetojnë në panik
GJIROKASTER/ PIRO NASEFamiljet e mbetura në një godinë mbi 35-vjeçare në Libohovë kanë dhënë alarmin e rrezikut të shembjes së saj, për shkak të rrëshqitjes së tokës. Vit pas viti ndërtesa ka pësuar çarje e amortizime të dukshme, çka ka bërë që disa prej familjeve që jetonin në pjesën më të rrezikuar t'i braktisin banesat e tyre. Banush Beqo njëri prej banorëve në këtë pallat u shpreh se rrojnë çdo ditë me frikën e shembjes së të tri kateve të godinës, e cila mezi mbahet në këmbë në krahun e tij të majtë. Sipas tij kjo situatë ka agravuar së tepërmi gjatë viteve të fundit. "Kur janë konstatuar të çarat e para anësore, për t'i shpëtuar ndonjë tragjedie të mundshme, gjashtë familje të cilat jetonin në krahun lindor të pallatit, braktisën banesat" u shpreh Beqo. Sipas tij, bashkia e Libohovës është mjaftuar vetëm me ngritjen e një komisioni teknikësh për të verifikuar gjendjen e krijuar prej vitesh, duke mos dhënë rrugëzgjidhje për një strehë tjetër të familjeve të rrezikuara. "Në fushatën e fundit elektorale kandidatët për deputetë të forcave të ndryshme politike premtuan zgjidhje të gjendjes, por mesa duket këto ishin veçse premtime elektorale dhe asgjë më tepër", u shpreh 60-vjeçari Beqo. Një e çarë e madhe me një gjatësi deri në 5 metra është kërcënim real për shembjen pingul të tri kateve në pjesën e majtë të godinës. Veç kësaj kjo çarje është shoqëruar edhe me një devijim të murit mbajtës anësor të godinës, gati në 30 gradë. Pesë vjet më parë, sipas njërit prej banorëve të pallatit, u ndërmor një nismë për të mbushur me material të fortë ngjitës pjesën e çarjes së murit, por kjo nuk rezultoi efikase. Kjo solli dhe braktisjen e godinës nga gjashtë familjet, të cilat kishin mundësi të shpërnguleshin diku tjetër. Dikur pallati banohej nga nëntë familje, ndërsa sot vetëm tre prej tyre jetojnë në krahun e kundërt të tij ku gjendja është edhe më e sigurt. Mungesa e një alternative për të jetuar ka "ngujuar" në godinën trikatëshe familjet të cilat flenë me frikë. Pallati është ngritur me kontribut vullnetar në vitet '70 nga një njësi ushtarësh për të siguruar në banesë familjet e oficerëve. Sipas specialistëve urbanistë, ndërtimi i pallatit është kryer pa marrë parasysh një studim të thellë gjeologjik për truallin, i cili sipas tyre rezulton të jetë i paqëndrueshëm. Në Libohovë ka mjaft banesa, kryesisht ato private, që janë të rrezikuara nga shembja dhe kjo është konstatuar edhe nga vetë gjeologët. Këta të fundit, para pesë viteve kanë dhënë alarmin për rrezikun që mbartin dhjetëra banesa në këtë qytet, i cili shtrihet në këmbët e malit Bureto. Statusin si bashki, Libohova e ka fituar në ndarjen e re administrative në vitin 1992, ndërkohë që banorët e saj shprehen se do të ishin më të privilegjuar po të ishin komunë.