Berat, rrëshqitje dheu nga mali i Kalasë
BERAT - Erozioni dhe reshjet e pandërprera të shiut kanë bërë që muret e lagjes “Mangalem” prej një gjatësie rreth 50 metër të pësojnë shembje. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 të së enjtes, ku një masiv dheu i përzier me pjesë shkëmbore, është shkëputur nga mali i Kalasë së Beratit. Në pjesën fundore të kësaj lagjeje, në vendin e quajtur “Tabja” gjendja është e rënduar, pasi vazhdon të ketë shkëputje dherash dhe pjesë shkëmbore. Ky fenomen nuk po ndodh vetëm në lagjen “Mangalem”, por edhe në “Goricë”, ku masive shkëmbinjsh kanë rënë duke shkaktuar jo vetëm dëme materiale, por janë plagosur lehtë edhe dy persona. Këta të fundit, pasi kanë marrë ndihmën mjekësore në spital kanë vijuar në banesat e tyre. Sipas burimeve, personat janë plagosur në tentativë për të pastruar gurët e rënë afër banesave. Në vendet ku janë shkëputur masivet e dherave dhe të shkëmbinjve, dje kanë shkuar edhe përfaqësues të Pushtetit Vendor për të parë nga afër situatën. Adriatik çela, kryetari i rajonit nr.2, ku përfshihet zona muzeale u shpreh se, jemi në prag të ndonjë tragjedie të mundshme nga shkëputjet e malit. d.xh