Laçi mund Flamurtarin, “ëndërron” kupat e Evropës
Laçi triumfoi 3-2 ndaj Flamurtarit në ndeshjen hapëse të javës së 21-të të Kategorisë Superiore, në një takim ku të pestë golat u realizuan në 45 minutat e para. Një trepikësh tjetër i çmuar i kurbinasve të Stavri Nicës, në fitoren e 8-të sezonale e që konsolidon vendin e katërt befasues të Laçit (31 pikë) të ardhur nga Kategoria e Parë. Takimi nisi me dy gola të shpejtë në harkun e gjashtë minutave të para, ku në të 2-ën realizoi mbrojtësi Ervis Kaja e katër minuta më pas, Emiljano Veliaj me një gjuajtje mbresëlënëse. Sulmuesi i Flamurtarit, Migen Memelli, me golin e tij në minutën e 26-të rihapi takimin, por dy minuta më pas afrimi dimëror i Laçit, Eduart Tanushi i çoi shifrat në 3-1. Fraksioni i parë i lojës ka kohë edhe për një gol tjetër, kësaj radhe nga mbrojtësi i Flamurtarit, Elton Grami (42’). Shifrat 3-2 rezistuan deri në përfundim të takimit. Me këtë rezultat në Laç ka pëshpëritje Evrope. Debutuesit, asnjëherë në elitën e futbollit shqiptar si këtë sezon, ëndërrojnë vendin e tretë dhe pse jo edhe pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. Ndërsa Flamurtari, nga ana tij pas dy fitoreve rresht shijon sërish humbjen, e 10-ta sezonale, duke mbetur në kuotën e 21 pikëve.