“Nga Teherani në Tiranë”, ekspozita që jep start javës kulturore irianiane
“Nga Teherani në Tiranë”. Kështu titullohet ekspozita e çelur në ambientet e Muzeut Kombëtar që inicion kështu javën e kulturës iraniane në Tiranë. Në kuadër të veprimtarive të “Vitit ndërkombëtar të afrimit të kulturave-2010” të UNESKO-s, Muzeu Historik Kombëtar dhe fondacioni kulturor iranian “Saadi Shirazi”, organizojnë Javën e kulturës iraniane në Tiranë. Konferenca si dhe ekspozita me pjesëmarrjen e piktorëve të ardhur nga Irani si edhe një ekspozitë fotografie të titulluar “Nga Teherani në Tiranë” janë shenjat e një jave që do të fokusohet tek tradita iraniane që i ka rrënjët në kulturën e pasur përse. Së bashku me fotografitë dhe pikturat një vend i veçantë në ekspozitë i është lënë objekteve të etnografisë iraniane si veshjet, kostumet dhe argjendaritë. Ekspozitat do qëndrojnë të hapura për publikun deri në 17 shkurt.
“Drejt lirisë”, pjesëmarrëse në “Kosovafest 2010”
Në qytetin e Theradës ka startuar një prej evenimenteve më të rëndësishme kulturore. Dje ka nisur festivali mbarëkombëtar teatror “Kosovafest 2010”, i cili do të organizohet në përkujdesjen e “Belvedereart” dhe kryetarit të komunës së këtij qyteti. Në këtë eveniment teatror Shqipëria do të prezantohet me shfaqjen e Teatrit të Metropolit “Drejt lirisë” dhe Teatrit të Vlorës “Petro Marko”. Shfaqja më e mirë e këtij evenimenti teatror do të prezantohet në Belgjikë. Në shfaqjen “Drejt lirisë” idetë hidhen dhe zhvillohen gjatë interpretimit të Erand Sojlit, por qëllimi final-argëtimi i publikut nëpërmjet humorit dhe vetë ironisë, arrihet si pasojë e ndërveprimit me të. Gjinia teatrit “One man show” u eksperimentua për herë të pare gjatë muajit maj në Teatrin e Metropolit, ku rezultoi e suksesshme. Gjatë shtatë ditëve do të shfaqen 7 shfaqje të teatrove profesioniste nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia. Juria përzgjedhëse e festivalit në përbërje të saj do të ketë edhe ndërkombëtarë. Një ndihmë në organizim të “Kosovafest 2010”, Therandë do të japë edhe teatri “Dodona”.
12 Shkurt 2010