E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët, preferenca për zonat veriore

Republikanët i propozojnë Partisë Demokratike daljen në zgjedhjet e qershorit me koalicion të përbërë. Nënkryetari i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli, sqaroi për "Shqip" qëndrimin e partisë së dytë më të madhe në kampin e djathtë për koalicionin blu. Ai bëri me dije se negociatat me PD-në kanë filluar dhe se propozimi i radhës së republikanëve është dalja në zgjedhje me lista të ndryshme nga Partia Demokratike.

Pakti

"Pazaret" për pozicionet e ardhshme në Kuvend nga zgjedhjet parlamentare kanë ekplisuar partitë e djathta. Republikanët vetëcilësohen të qartë për mënyrën e bashkëpunimit me kreun e Partisë Demokratike. Nënkryetari Garuli thotë se negociatat mes kreut të PR-së, Fatmir Mediu, dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, janë në rrugë të mbarë. Listat e veçanta për garën e 28 qershorit janë kërkesa e parë e aleatëve më të ngushtë të PD-së. Një tjetër kërkesë e republikanëve është edhe ndarja e territorit. Aleatët duket se do të synojnë më shumë kandidimin në qytetet veriore për të pasur një vend më të sigurt në Parlamentin e ardhshëm.

Koalicionet

PD ndez motorët e fushatës elektorale, duke krijuar aleancat që do t‘i sjellin më shumë vota në zgjedhjet parlamentare. Pas paktit me Partinë Aleanca Demokratike, Kryeministri Berisha i ka lënë radhën republikanëve, të cilët konsiderohen edhe aleatët më besnikë, që të japin propozimet e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit me Partinë Demokratike. Republikanët janë pro idesë së koalicionit të përbërë, ku secila parti të përfaqësohet në zgjedhje me kandidatët e saj, duke mos i hyrë në pjesë Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, demokratë-reformatorët e kanë zgjidhur dilemën, duke u rikthyer në "shtëpinë e vjetër". Genc Pollo dhe Tritan Shehu do të jenë pjesë e listës së deputetëve të hartuar nga Partia Demokratike. Kreu i agrarëve, Lufter Xhuveli, pas tradhtisë që i bëri së majtës në shtator të 2005-ës, ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me Partinë Demokratike edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndryshe nga aleatët e tjerë, Xhuveli duket se është më shumë i interesuar të ketë më shumë kandidatë në zonat e Jugut sesa në ato të Veriut. Hartimi i listave për deputetë pritet të sjellë përplasje të fuqishme në kampin blu, ku një pjesë e mirë e deputetëve demokratë do të shprehin pakënaqësi për pozicionin që u ofrohet aleatëve dhe privilegjin që kryetarët e partive të vogla do të gëzojnë duke qëndruar në krye të listave.

Ndarja e territoreve

Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, rezultati i post-votimit ka treguar një ndarje relative mes votës së Jugut për të majtën dhe votës së Veriut për të djathtën. Qëndresa që i bëri Veriu regjimit të para viteve ‘90, duket se favorizon më shumë partinë që përmbysi regjimin komunist në Shqipëri. Megjithëse është e pamjaftueshme arsyeja se Veriu do më shumë kreun e PD-së sesa Jugu, rezultatet e zgjedhjeve të ‘91, ‘92, ‘96, ‘97 dhe 2001, 2005 kanë treguar se Veriu është bastioni blu. Megjithëse vlen të theksohet se kohët kanë ndryshuar. Një tjetër tezë, me të cilën partitë duhet të mbroheshin fort në këto zgjedhje, ishin kandidatët, por Kodi i ri Elektoral nuk e lejon pasi elektorati më shumë do të votojë për siglën politike sesa për kandidatin e zgjedhur. Argumenti i radhës që vlen të theksohet është se në zgjedhjet e 2005-ës apo edhe në ato lokale të 2007-ës vota për PD-në, është kryesisht votë e zonave më të varfra të Shqipërisë. Duket qartë se Veriu është hapësira më favorite e Partisë Demokratike për të pasur sa më shumë deputetë në Parlament. Fjalën e fundit për të ndarë këtë pjesë të mirë të tortës me aleatët, Kryeministri Berisha do ta japë në mbledhjen e tryezës së koalicionit të djathtë pas negociatave kokë më kokë me kryetarët e partive të vogla.

Listat

Aleatët kërkojnë pavarësi nga PD-ja

Koalicioni i përbërë u jep mundësi të gjitha partive aleate të PD-së të dalin me lista të veçanta të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke bërë një përllogaritje të rezultatit të 2005-ës me sistemin aktual zgjedhor, diferenca mes dy partive kryesore është më e ngushtë se rezultati i 2005-ës. Shpërndarja e mandateve në 12 qarqet do të bëhet në bazë të numrit të popullsisë dhe jo sipërfaqes. Pra, Tirana do të jetë ajo, e cila do të ketë një peshë shumë më të madhe me këtë sistem zgjedhor.

Marrëveshja

"Pazaret" për koalicionin blu

Kreu i PD-së i ka ofruar një ditë më parë kreut të PAD-së një post qeveritar pas zgjedhjeve të qershorit në rast se koalicioni i djathtë arrin të marrë shumicën e votave. Republikanët, tashmë pjesë e qeverisë, kërkojnë më shumë se një post ministror. Partia e dytë brenda së djathtës shpreh ambicien që të mbajë të njëjtin numër deputetësh në Parlamentin e ardhshëm. Republikanët janë pro idesë së koalicionit të përbërë, ku secila parti të përfaqësohet në zgjedhje me kandidatët e saj, duke mos i hyrë në pjesë Partisë Demokratike

Zonat

Kërkesat e të vegjëlve ndaj Berishës

Listat e veçanta për garën e 28 qershorit janë kërkesa e parë e aleatëve më të ngushtë të PD-së. Një tjetër kërkesë e republikanëve është edhe ndarja e territorit. Aleatët duket se do të synojnë më shumë kandidimin në qytetet veriore për të pasur një vend më të sigurt në Parlamentin e ardhshëm. Teza me të cilën partitë duhet të mbroheshin fort në këto zgjedhje ishin kandidatët, por Kodi i ri Elektoral nuk e lejon, pasi elektorati më shumë do të votojë për siglën politike, sesa për kandidatin e zgjedhur



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›