Dade: Mazhoranca, shurdhe përballë ndërkombëtarëve
Opozita ftoi dje mazhorancën të mos veprojë me kokëfortësi sa i takon ligjit të lustracionit. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në selinë rozë, Arta Dade, vlerësoi se kjo javë ka manifestuar një prani shumë të rëndësishme ndërkombëtare në Tiranë, duke nisur nga organizmat prestigjiozë, si OSBE, BE dhe KE. "Kemi pasur vizitën e Presidentes së radhës së OSBE, kemi pasur deklarime të presidencës çeke të BE dhe gjithashtu vizita e reporterëve të KE; që në unison kanë kërkuar që ligji i lustracionit të mos zbatohet, si një ligj që bie ndesh me Kushtetutën dhe si një ligj që dhunon të drejtat themelore të njeriut", u shpreh Dade. Është për të ardhur keq, vijoi ajo, që ndaj këtyre sugjerimeve të partnerëve tanë euroatlantikë, që në vazhdimësi na kanë asistuar, që Shqipëria të konsolidojë demokracinë dhe të bëhet pjesë e këtyre organizmave, shurdhëria e kësaj mazhorance është manifestuar në mënyrë të përsëritur edhe sot nga Topalli. "Ky qëndrim bie ndesh me vullnetin e të gjithë popullit shqiptar për t‘u integruar në këta organizma. Është për të ardhur keq, që Kryetarja e Parlamentit, si nënkryetare e PD shprehu koncepte izolacioniste dhe arkaike, që do t‘u shkonin për shtat vetëm regjimeve autoritariste", insistoi Dade. Socialistët vlerësojnë se është për të ardhur keq që këto shurdhëri në mënyrë të përsëritur mbajnë peng procesin integrues të Shqipërisë në bashkësinë evropiane. "Ne, sigurisht, nuk mund të lejojmë që interesat madhore të integrimit të vendit të dominohen nga interesa të ngushta vetjake të Sali Berishës dhe oborrit të tij", u angazhua Dade. Ne, premtoi ajo, nuk mund të lejojmë që interesat madhore të vendit të mbahen peng nga Sali Berisha dhe instrumentet e verbra të tij. "Qëndrimi i kësaj mazhorance është i përsëritur. Ne nuk na duket se ka ndonjë risi në këtë qëndrim, sepse shqiptarët i kanë parë mjaft mirë, i kanë ndjerë efektet e izolimit dhe shurdhërisë ndaj partnerëve tanë dinjitozë euroatlantikë edhe 10 vjet më parë", theksoi Dade. Në mënyrë të përsëritur, mesazhet e fuqishme që kanë ardhur edhe përtej organizmave evropianë, si SHBA, përmes ambasadorit të tyre, përsëri këtë javë, kanë përsëritur qëndrimin. Opozitarët i bënë thirrje kësaj mazhorance të tërhiqet pas në verbërinë e saj politike, duke shkelur të gjitha normat e një shoqërie demokratike. "Kjo mazhorancë po rrezikon, jo vetëm integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë, por edhe izolimin nga organizmat euroatlantikë", u shpreh Dade. Teksa ftoi Topallin të ketë vëmendjen ndaj atij organizimi ku ka përfaqësuar Shqipërinë mbi 5-6 vjet, dhe nuk duhet të vazhdojë çmendurinë e shefit të saj për të zbatuar ligjin. "Dihet që PS ka bërë ankimim pranë Gjykatës Kushtetuese dhe ne presim bindjen e saj, ashtu sikurse është sugjeruar edhe nga reporterët e KE. Sigurisht, ne mbetemi të hapur për të bashkëpunuar për këtë ligj, ashtu si na kanë sugjeruar ekspertët e KE, OSBE, BE", nënvizoi Dade.