Spahiu: Të sqarohet elektorati për mënyrën e votimit
Kryetari i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahiu, është shprehur me superlativa për Kodin e ri Zgjedhor. Sipas Spahiut, PLL përmes listës së kandidatëve, do të menaxhojë vetë votat dhe do të kontribuojë në mënyrë të matshme në fitoren e koalicionit qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Duke shprehur bindjen për kontributin e PLL-së në fitoren e mazhorancës qeverisëse, ai theksoi se "Kodi Zgjedhor duhet t‘u bëhet i qartë gjithë zgjedhësve të djathtë, në mënyrë që brenda së djathtës ata të votojnë pa komplekse për alternativën që e shohin më afër vetes". Kryetari i PLL-së kërkon që të sqarohet elektorati për mënyrën e votimit, duke mos shkaktuar vota të pavlefshme në zgjedhjet e 28 qershorit. Spahiu kërkoi prej drejtuesve lokalë që të rrisin praninë e tyre në publik dhe në organet e pushtetit vendor ku janë zgjedhur dhe të qartësojnë para elektoratit shqiptar specifikat programore të PLL-së, si një parti thellësisht e djathtë që mbështetet në traditën kombëtare dhe shtetndërtuese, në familjen, moralin dhe zakonet, që është në gjendje t‘u japë zgjidhje aspiratave të kombit shqiptar për bashkim, zhvillim dhe integrim euroatlantik.