Pepa, lë pas mungesat në QSUT për arritjet e mëdha
QSUT-ja ka shënuar arritje të rëndësishme në cilësisë dhe zgjerimin e shërbimeve, por edhe në përballimin e situatave të vështira shëndetësore. Kështu është shprehur Drejtori i përgjithshëm i këtij spitali, Mati Pepa, i cili ka lënë pas debatet e shumta që janë hedhur ngas mjekët e QSUT-së kohët e fundit, të cilët kanë deklaruar se me këto kushte është e pamundur që të punojnë. Sipas drejtorit Pepa, QSUT-ja, si spitali më i madh i nivelit terciar, në të cilin është e angazhuar elita e mjekësisë shqiptare, nuk ka qenë kurrë më mirë sesa sot, sipas standardeve që ka vendi ynë, por gjendja është ende larg standardeve të kërkuara nga bota jashtë. Duke iu referuar statistikave të vitit të kaluar, Pepa u shpreh se vetëm gjatë vitit 2007 në QSUT janë kryer 5 milionë diagnostikime nga këto 2 milionë analiza laboratorike. Ndërkohë që qeveria ka në proces shpenzimi fonde të mëdha për pajisjen me aparatura të spitalit të ri që po ndërtohet në QSUT dhe pritet të mbarojë në prill të 2009. Aparaturat ekzistuese u përkasin teknologjive të kaluara, që jo rrallë herë nuk u gjenden pjesë këmbimi. QSUT është mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë për çdo projekt që ka lidhje me menaxhimin më të mirë të institucionit. Kështu, futja e shërbimeve private në sektorët e higjienës, ushqimit, pastrimit, hotelerisë, etj, janë një risi për QSUT-në dhe një model që do të ndiqet edhe në disa shërbime të tjera, si urgjenca, shërbimi i dializës, furnizimi me ujë apo me oksigjen. Këtë vit QSUT do të nisë një politikë të re ndaj nevojave për edukim të vazhdueshëm, për përmirësimin e Protokolleve të Kujdesit Infermieror; hartimin e studimit mbi ndryshimin e formës së administrimit të Laboratorit Kimik-Biokimik dhe Laboratorit Mikrobiologjik; rivendosja dhe funksionimi i Sterilizimit Qendror për gjithë QSUT-në, etj.
6 Maj 2008