Aleks Ferguson: Më intereson vetëm e ardhmja

Kur Aleks Fergusoni u bë trajner i Mancester Junajtid, Uejn Runi ishte vetëm 1 vjec. Fergusoni festoi të hënën 20-vjetorin e tij si trajner në "Olld Traford", në një kohë kur kohëzgjatja e punës për trajnerët e sotëm matet me muaj dhe është subjekt shpesh edhe i tekave të pronarëve të klubeve. Pasi ka fituar 19 trofe, përsfshi këtu 8 tituj të kampionit të Anglisë, pesë Kupa të Anglisë (FA Cup) dhe një trofe të Ligës së Kampioneve, Fergusoni është prapëseprapë në majat më të larta të futbollit. Ndonëse më 31 dhjetor 2006 ai arrin moshën 65-vjecare, që është edhe kufiri i pensionit në Britaninë e madhe, skocezi thotë se nuk ka ndërmend që të ulë ritmin e karrierës së tij, njërës prej më të famshmeve në botë. Dhe, në fund të fundit, pse duhet ta bëjë ai një gjë të tillë?
Skuadra e tij kryeson tashmë renditjen e Premier Ligës Angleze, e ndjekur nga pas, me 3 pikë më pak, nga Celsi dhe plot 10 përpara Arsenalit. "Njerëzit vazhdojnë të flasin për 20 vitet e mia këtu dhe për ato që unë kam arritur kët, por, ndershmërisht, kjo nuk ka aspak rëndësi për mua, - thotë Fergusoni. - E ardhmja është gjithmonë gjëja më e rëndësishme në botë." Fergusoni është ende prapa rekordit të Met Basbit, i cili ka qëndruar për plot 24 vjet me radhë në krye të paninës së Mancester Junajtid, dhe vazhdon ende debati se cili prej tyre cilësohet si trajneri më i madh i "Djajve të kuq". Gjithsesi, Fergusonin e bezdis mendini që Mancester Junajtid nuk e kam fituar kampionatin anglez që prej 3 vjetësh apo Ligën e Kampioneve që nga 1999-ta.
Pasi ndërroi mendje, tre vjet më parë, dhe nuk pranoi të tërhiqej nga posti, tanimë ai refuzon të thotë edhe se kur do të tërhiqet me të vërtetë. "Nuk më pëlqen ta vë kokën time në gijotinë duke u mbështetur në parashikime apo deklarata të nxituara, sepse fati në futboll është me të vërtetë një klient mjaft tekanjoz, - thotë Fergusoni. - Por, duhet të tregohem i sinqertë dhe duhet t'ju them se në këtë klub ekziston një besim në vetvete, që të lë të kuptosh se ne jemi tani në pozita të shëndosha për të sulmuar me të gjitha forcat për trofetë madhore." Fergusoni ka qenë arkitekti i ringjalljes së Mancester Junajtid, që nga ardhja e tij në këtë klub më 6 nëntor të 1986-s. Liverpuli kishte fituar 10 tituj kampion në 15 sezone, si dhe katër trofe të Kupës, tashmë, Ligës së Kampioneve.
Mancester Junajtid nuk e shijonte titullin e kampiones së Anglisë që nga 1967-a, ndërsa trofeu i parë dhe i vetëm i kampiones së Evropës ishte ai i vitit 1968. Dhe, që nga 1993-shi, Fergusoni e theu këtë supremaci dhe fitoi titullin e kampiones së Premier Ligës angleze 8 herë brenda 11 vitesh, ndërsa, që nga 1990-ta, Liverpuli nuk ka qenë t'i shtojë më të tjera 18 titujve "kampion". Gjithsesi, trajneri skocez ishte shumë pranë shkarkimit, përpara se të ndodhte e gjithë kjo. Për plot katër vite në krye të paninës së Mancester Junajtid, Fergusoni nuk arriti të fitonte asnjë trofe dhe, ndërkohë që tifozët thërrisnin "Fergi, ik!", skuadra e tij i afrohej fundit të renditjes. Një fitore 1-0 në Kupën e Anglisë (FA Cup) kundër Notingem Forest, ka shumë të ngjarë t'i ketë shpëtuar lëkurën trajnerit skocez.
Gjithsesi, Mancester Junajtid jo vetëm që vijoi ta fitonte këtë trofe, por arriti ta fitonte edhe Kupën e Kupave të Evropës një sezon më pas. Trajneri aktual Anglisë, Stiv MekKlaren, ishte dëshmitar i një pjese të atin suksesi, duke qenë se ishte ndihmësi i Fergusonit në "Olld Traford". Më 1999-n, "Djajtë e kuq" arritën atë sukses të pashoq, të trefishtë, duke fituar në të njëjtën sezon trofeun e kampiones së Anglisë, atë të Kupës së Anglisë (FA Cup) dhe atë të Ligës së Kampioneve. "Ai arrin dicka, pastaj, sikundër është edhe ajo shprehja, ai "i turret malit tjetër, i cili është më i lartë", - rrëfen MekKlareni. - Ja këtë bën ai. Është ëndrra e një trajneri që të ndërtojë një skuadër dhe të korrë me të sukses, por Fergusoni ka ndërtuar katër a pesë skuadra deri më tani, duke shijuar sukses me secilën prej tyre."
Por, Fergusoni shpesh kryenec, nuk ia ka lehtësuar jetën njerëzve që kanë punuar me të, qofshin këta trajnerë, lojtarë, gjyqtarë apo shtypi. Edhe lojtarët më të paguar të Mancester Junajtid i tremben Fergusonit të xhindosur dhe trajtimit të tij të mbiquajtur "tharësja e flokëve", domethënë një kritike aq të ashpër dhe të frikshme që t'i ngrë përpjetë qimet e kokës. David Bekhami pësoi një carje në vetull kur Fergusoni, i xhindosur me paraqitjen e skuadrës së tij kundër Arsenalit, goditi me shkelm një këpucë të lënë përtokë në dhomat e zhveshjes, duke e goditur në fytyrë mesfushorin e tij. Lojtarët që e fërkojnë Fergusonin në mënyrën e papërshtatshme shpejt e gjejnë veten drejt largimit nga ky klub. I bezdisur nga profili publik i Bekhamit, trajneri e shiti atë te Reali i Madridit.
Jap Shtami dhe Rud Van Nistelroi u përcollën gjithashtu nga klubi me ceremoni. Fergusoni ka patur edhe një konflikt të vazhdueshëm edhe me homologun e tij te Arsenali, Arsene Venger. Ndërsa ish-trajneri i Njukasëllit, Kevin Kigan e shau publikisht Fergusonin dhe Mancester Junajtid në atë paradë të famshme të gishtit të mesit në një emision televiziv. Fergusoni nuk i ka folur për disa vite me radhë "British Broadcasting Corp." (BBC), sepse ky rrjet televiziv transmetoi një dokumentar, ku thuhej se i biri, Xhejson, një menaxher lojtarësh, kishte përfituar nga shitblerjet e disa lojtarëve të Mancester Junajtid. Duke mos i besuar asnjëherë gazetave, ai nuk del asnjëherë në konferencat për shtyp, përderisa të mos e ketë të sanksionuar në një kontratë një gjë të tillë.
Fergusoni pati një betejë të shtrenjtë ligjore me aksionarin e Mancester Junajtid, Xhon Magnier, mbi të drejtën e një kali mjaft të famshëm të garave me kuaj, të mbiquajtur "Rock Of Gibraltar" (Shkëmbi i Gjibraltarit), tek i cili ai ishte bashkëpronar, së bashku me bashkëshorten e aksionarit irlandez. Magnieri u përpoq që ta ndalonte klubin e Mancester Junajtid që t'i ofronte një kontratë të re Fergusonit dhe kërkoi një hetim mbi kontratat e bëra me Xhejson Fergusonin. Gjithsesi, Magnieri ia shiti gradualisht aksionet e tij Malkolm Glejzërit, biznesmenit amerikan dhe pronarit të skuadrës së futbollit amerikan, "Tampa Bej Bjukanirs", i cili vijoi ta blinte edhe klubin anglez. Nëse Mancester Junajtid fiton një trofe madhor këtë sezon, qoftë kjo e Premier Ligës apo e Ligës së Kampioneve, Glejzëri ka shumë të ngjarë ta mbajë Fergusonin si trajner.
Përpara se të vinte për të drejtuar Mancester Junajtid, Fergusoni ishte trajner i Aberdinit në Skoci, ku skuadra e tij theu supremacinë e dyshes tradicionale, Sëlltikut dhe Gllasgou Rejnxhërsave, duke fituj dy tituj të kampiones së Skocisë, dy Kupa të Skocisë dhe një Kupë të Kupave të Evropës. Më 1999-n, atij iu dha titulli i nderit "Sër", nga Mbretëresha Elizabet II, për shërbimet që ai ka bërë në dobi të sportit të futbollit. "Ne sot nuk humbëm, por thjesht nuk ka doli koha", - thotë shpesh Fergusoni, duke huazuar një klishe të vjetër të gjuhës së trajnerëve të futbollit. Nëse Fergusoni vijon të vazhdojë të sjellë trofe në "Olld Traford", ai do të vazhdojë të ketë kohën e nevojshme.