Platini: Një Ligë Kampionesh me më shumë kampionë

Ish-lojtari i përfaqësueses së Francës, Mishel Platini, ka premtuar ta bëjë Ligën e Kampioneve më të hapur kundrejt klubeve më pak të pasur, nëse arrin të mundë rivalin e tij, Lenart Johanson, në betejën për presidencën e organizmit që qeveris futbollin evropian, UEFA. "Unë dua që të bëhet progres, por jo domosdoshmërisht një revoluvion", - tha 51-vjecari Platini në një konferencë për shtyp dhënë dje paradite në Beograd, pak para se të nisej për në Shqipëri, vizita këto në kuadër të fushatës së tij për të mundur suedezin 77-vjecar, i cili ka qenë në krye të UEFA-s që nga viti 1990. "Epërsia ime kundër Z. Johanson, është se kandidatura ime u shpall në një moment kur ai fillimisht mendoi të tërhiqej nga ky post, por, pastaj, për arsye që i di vetë ai, vendosi të kandidonte përballë meje", - shtoi Platini.
Johanson ka vënë kandidaturën e tij për mandatin e tij të pestë dhe të fundit, duke theksuar se ai ka përvojën që i mungon Platinisë dhe fati i kësaj beteje do të vendoset në Kongresin e UEFA-s, që do të mbahet në Dyseldorf të Gjermanisë, më 27 janar të vitit të ardhshëm. Platini, tanimë 51 vjec, beson se, ndërkohë që formati prej 32 skuadrash i veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës, nuk duhet të ndryshojë, ajo që duhet të ndryshojë është numri i klubeve nga kampionatet kryesore të kontinentit, cka do të mundësonte që në këtë veprimtari të merrnin pjesë më shumë vende evropiane. "Italia, Anglia, Gjermania dhe Spanja duhet të kenë secila vetëm 3 klube në Ligën e Kampioneve, në mënyrë që në të të marrin pjesë edhe klube nga kampionate të tjera, që mund të mos jenë në të njëjtin nivel financiar me këto kampionate", - sqaroi Platini.
"Në formatin aktual, nuk ka aq kampionë sa c'duhet në këtë veprimtari, - vijoi më tej francezi. - Ka shumë vende në Evropë, klubet e të cilave nuk kanë mundësi t'i mbajnë në skuadër lojtarët e talentuar, por kjo nuk do të thotë që ata nuk meritojnë një shans për të luajtur kundër klubeve më të mëdha. Misioni im është që të mbroj futbollin dhe unë besoj se gjithkush do të përfitojë nga ideja e përfshirjes së më tepër kampionateve, vendeve dhe klubeve të Evropës, në Ligën e Kampioneve. Kjo do të ishte një veprimtari edhe më evropiane në natyrë dhe, si e tillë, do t'i nxiste edhe më tepër sponsorët", - sqaroi ai, në përpjekje për të qetësuar ata që janë shprehur të shqetësuar se një riorganizim apo ristrukturim i tillë do të shkaktonte probleme, mbi të gjitha, duke ulur të ardhurat nga kontratat e ndryshme publicitare.
Platini tha se zbatimi i projektit të tij nuk nënkupton favorizimin e të mëdhenjve, duke shtuar se ky projekt kishte për synim të ndihmonte si "të pasurit, ashtu edhe të varfërit". "Unë nuk e ndaj futbollin në të pasur dhe të vafrër, - nënvizoi legjenda e futbollit francez. - Të gjitha skuadrat dhe federatat duhet gjithsesi ta meritojnë në fushën e blertë renditjen e tyre në listën e UEFA-s dhe të përfaqësohen ashtu sic e meritojnë. Ndërsa, përsa i përket kampionateve të mëdha, faktikisht ata do të përfitonin nga të akorduarit e tre vendeve automatikisht për në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve, në vend sistemit aktual prej 2 vendesh automatikisht dhe dy të tjerave nëpërmjet tureve eliminatore."