E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mishel Platini, 12 orë në Shqipëri për votën

Altin B. Kodra

Në kuadër të fushatës së tij për presidencën e organizmit që qeveris futbollin evropian, ku ai kandidon përballë kreut aktual të UEFA-s, Lenart Johanson, legjenda e futbollit francez, Mishel Platini, ka bërë një vizit gjysmëditore në Tiranë, duke arritur në Shqipëri në mesditë dhe duke u larguar diku aty, pak para mesnate, në drejtim të Malit të Zi, për stacionin e radhës së turit të tij elektoral. Në fakt, menjëherë pas konferencës për shtyp të dhënë dje paradite në Beograd, ish-futbollisti i famshëm, kampion i Evropës me Francën e tij më 1984-n, ka fluturuar drejt Tiranës, ku ka zbarkuar në ora 14:00 dhe ka vijuar të akomodohet në një nga hotelet luksoze të kryeqytetit, ku ka pushuar për disa orë. Paskëtaj, në ora 17:00, kandidati francez për keun e UEFA-s, ka marrë pjesë në përurimin e fushës së futbollit të shkollës "Hasan Vogli", në Tiranë, dhe, po aty, ai ka improvizur një konferencë të shkurtër për shtyp, ku ka folur për mediat shqiptare. "Jam habitur nga pritja madhështore si në asnjë vend tjetër. Këta fëmijë të shumtë, të cilët brohorisnin emrin tim, nuk më njohin, por baballarët e tyre do t'i kenë treguar për mua. Unë i falënderoj që ma dinë emrin", - ka deklaruar legjenda e futbollit francez, duke folur për shtypin vendas. "Kam ardhur per fushate elektorale dhe kjo dihet", - ka pohuar më pas kandidati 51-vjecar për presidencën e UEFA-s. Pas kësaj ceremonie dhe konference shtypi, francezi ka vijuar të zhvillojë dhe një takim me krerët e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), në oraz 18:00, dhe axhenda e tij paskëtaj ka qenë një darkë zyrtare me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), për të vijuar me udhëtimin e tij drejt Malit të Zi, për t'u takuar me drejtuesit e futbollit të shtetit të ri, të saposhpallur. Mishel Platini ka marrë pjesë në Botërorin e vitit 1978, atë të vitit 1982 dhe atë të vitit 1986, duke qenë gjysmëfinalist në dy të fundit. Ai ka fituar tri herë "Topin e Artë", në vitet 1983, 1984 dhe 1985. Me skuadrën përfaqësuese të Francës, Platini ka zhvilluar 72 ndeshje, duke shënuar 41 gola. Platini ka qenë edhe trajner i kombëtares së Francës. Aktualisht ai është kryetar i Komitetit Teknik dhe Zhvillimit të FIFA-s, si dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Platini është, njëkohësisht, edhe zëvendëspresident i Federatës Franceze të Futbollit (FFF). Francezi i famshëm Platini do të konkurojë për postin e Presidentit të UEFA-s me Presidentin aktual, suedezin Lenart Johanson. Zgjedhjet për presidentin e UEFA-s do të zhvillohen në janar të vitit të ardhshëm, ku 52 presidentët e federatave anëtare do të zgjedhin midis suedezit 77-vjecar dhe francezit 51-vjecar. Për ish-lojtarin e kombëtares franceze, Platini, vizita e sotme është e katerta ne Shqipëri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›