Xhudo, mbizotërojnë sportistët kosovarë

Në pallatin e sportit "Asllan Rusi" në Tiranë u zhvillua në fundjavë takimi i 6-të mbarëkombëtar në xhudo. Në të morën pjesë ekipet Shqipëria A dhe B, Kosova A dhe B, si dhe përfaqësuesja e shqiptarëve të Maqedonisë. Ndeshjet u karakterizuan nga rivaliteti i madh, ku ra në sy dominimi i sportistëve kosovarë, si për meshkuj, ashtu dhe për femra. Për femra, ekipi kosovar i fitoi të pesta peshat, ndërkohë që sportistja më e mirë u shpall Luljeta Berisha. Ndërsa për meshkuj, përsëri ishin sportistët kosovarë që fituan gjashtë nga shtatë peshat, ndërsa sportisti më i mirë u shpall Zymer Zeka.