E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aleksandër Gjoka aksidenton një të moshuar, lirohet

30/04/2005  Një aksident i rastësishëm automobilistik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, për pak ka dëmtuar rëndë një grua të moshuar rreth 70 vjeçe. Protagonist i këtij aksidenti ka qenë këngëtari i mirënjohur Aleksandër Gjoka, i cili mësohet të jetë shoqëruar në polici dhe të jetë lënë i lirë më pas. Kjo, pasi e moshuara nuk është dëmtuar rëndë dhe pas ndihmës së parë mjekësore ka dalë nga spitali duke shkuar pranë familjes. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat sqaruan se menjëherë në vendngjarje, kanë shkuar inspektorë të qarkullimit që kanë kryer këqyrjen e vendit të aksidentit. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në orët e pasdites të së premtes, pranë Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit. Sipas burimeve, e moshuara ka qenë duke kaluar rrugën automobilistike, duke mos parashikuar dot shpejtësinë e automjeteve që kalonin aty dhe kohën që i duhej të dilte në trotuar. Mësohet se ka qenë manovrimi i këngëtarit që ka bërë të mundur shmangien e tragjedisë për të moshuarën. Burimet e policisë sqaruan se nga akti, ekspertimi i vendit të ngjarjes dhe pyetja e dëshmitarëve u konkludua se këngëtari Gjoka nuk kishte pasur faj, pasi në atë aks rruge nuk ishte i rekomanduar kalimi i këmbësorëve dhe nuk ekzistonin vijat e bardha. Madje, sipas policisë, ka qenë reagimi i menjëhershëm i këngëtarit, që ka bërë të mundur evitimin e një goditje të fortë. Ndërsa e moshuara ka qenë duke ecur ngadalë në mes të rrugës automobilistike në një aks ku nuk ekzistonin semaforët, kanë shtuar burimet. Ndërkaq, po mbrëmjen e së premtes, pranë Gjykatës së Tiranës, janë përplasur dy automjete me njëra-tjetrën, të cilat kanë bllokuar trafikun. Për pasojë janë përplasur edhe të tjera autovetura me dy të parat, thanë dje burimet e policisë. Në njërën prej tyre është ndodhur futbollisti i “Partizanit”, Henri Ndreka, i cili është shoqëruar menjëherë për në spital. Ky i fundit pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore ka dalë nga spitali mëngjesin e djeshëm, pasi nuk ka pasur dëmtime të rënda, përfundojnë burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›