E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hetimi për vdekjen e Vili Vajcel, drejt pezullimit të dytë

00/00/0000  Familjarët e agjentit sekret nuk kanë lejuar të kryhet autopsia as në Gjermani

Dosja hetimore për shkaqet e vdekjes së agjentit sekret gjerman në Tiranë, Vili Vajcel, është drejt pezullimit. Shkak i pezullimit të dytë të kësaj çështje është mungesa e provave për të vërtetuar shkrimet e gazetave gjermane, ku thuhej se Vili Vajcel mund të ishte vrarë nga qarqe kriminale në Tiranë, për shkak të mospërmbushjes së ndonjë marrëveshjeje. Nisur nga këto shkrime, Prokuroria e Tiranës vendosi të rifillojë hetimet rreth një muaj e gjysmë më parë. Por mungesa e rezultateve të autopsisë ka bërë që kjo dosje të pezullohet sërish, deri në gjetjen e ndonjë elementi të ri. Kjo, pasi familjarët e Vajcel nuk kanë lejuar që të kryhet autopsia as në Gjermani. Kjo ka qenë përgjigjja që Prokuroria shqiptare ka marrë lidhur me kërkesën për rezultatet e autopsisë.

Autopsia

Ndonëse, Prokuroria shqiptare u kërkoi atëherë zyrtarisht lejimin për kryerjen e autopsisë, një gjë e tillë nuk u lejua. Vili Vajcel ishte me detyrë si diplomat pranë ambasadës gjermane në Tiranë dhe njëkohësisht agjent sekret. Për këtë shkak, Prokuroria nuk mund të urdhëronte kryejen e autopsisë pa lejen autoriteteve gjermane. Por, edhe pas rifillimit të hetimit, Prokuroria shqiptare nuk ka arritur të sigurojë të dhëna rreth rezultateve të autopsisë së Vajcel, i cili u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Tiranë, më 3 maj të vitit të kaluar. Kjo, pasi familjarët e tij nuk e kanë lejuar kryerjen e autopsisë edhe në Gjermani. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, që sqaruan se pala gjermane ka pohuar se kjo procedurë nuk është kryer as atje, pasi nuk kanë pranuar familjarët. Ndërsa shkrimet e gazetave nuk mund të merren si provë materiale, pa pasur në dorë shkaqet zyrtare të vdekjes së tij, që janë vetëm rezultatet e autopsisë, theksojnë burimet.

Pezullimi

Disa muaj pas gjetjes së Vajcel të vdekur në apartamentin ku banonte, pranë Gjykatës së Tiranës, Prokuroria pezulloi dosjen, pasi u konkludua se agjenti gjerman kishte ndërruar jetë natyrshëm. Kjo, pasi në banesë u gjetën shishe të boshatisura alkooli dhe barna për hipertensionin dhe zemrën. Prokuroria sqaroi atëherë se u konkludua që vdekja e Vajcel të kishte ardhur si pasojë e gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore dhe konsumimit të tepërt të alkoolit. Por rreth një muaj e gjysmë më parë, mediat gjermane publikuan dyshime se Vajcel mund të ishte eliminuar nga qarqe kriminale të Tiranës, për shkak të ndonjë marrëveshjeje të papërfunduar nga ana e tij. Në këtë kohë, nisur nga këto shkrime që u publikuan edhe në mediat shqiptare, Prokuroria e Tiranës vendosi rifillimin e hetimit. Burimet e akuzës thanë atëherë se u dërguan letër-porosi në Gjermani për vënien në dispozicion të gazetave e revistave, ku ishte shkruar për këtë çështje dhe rezultateve të autopsisë. Por, rezultatet e autopsisë nuk mbërritën, pasi familjarët e Vajcel nuk kishin lejuar të kryhej një gjë e tillë as në Gjermani, përfundojnë burimet.

Mediat gjermane: “Vajcel u vra nga qarqe kriminale të Tiranës”

Hetimet në aferën e abuzimit me vizat në ambasadën gjermane në Tiranë po e nxjerrin në një sfond të ri vdekjen e një funksionari të lartë të shërbimit sekret gjerman. Siç bën të ditur revista e përjavshme gjermane “Focus”, nuk përjashtohet mundësia që punonjësi i shërbimit sekret Vili Vajcel, i cili në maj të vitit 2004 u gjet i vdekur në rezidencën e vet në Tiranë, të jetë bërë pre e një akti dhune. Më 3 maj të vitit 2004, Vili Vajcel, agjent i shërbimit të fshehtë gjerman (BND), i stacionuar në Shqipëri që nga vera e vitit 2002, ndryshe nga herët e tjera, nuk u shfaq në ambasadë, ku kishte zyrën e punës. Disa orë më vonë, trupi i 49-vjeçarit u gjet i pajetë në banesë. Mjeku shqiptar, i alarmuar, e kontrolloi kufomën dhe konstatoi se kishte vdekur natyrshëm, informonte revista e përjavshme gjermane FOCUS, duke iu referuar burimeve zyrtare të BND-së. Po sipas revistës, departamenti i sigurisë së BND-së, ka marrë në tetor të vitit 2004 informacione të besueshme, sipas të cilave agjenti gjerman ka pasur lidhje me mafien. Flitet se atë e kishin korruptuar qarqet kriminale të Tiranës, por mbasi Vajcel nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes, e kishin vrarë. Përveç parave, atij i ishin vënë në dispozicion edhe dy prostituta, raportonte më tej e përjavshmja gjermane FOCUS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›