Aleksandër Kuqo del nga burgu, strehë në Psikiatri
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Biznesmeni i Beratit, Aleksandër Kuqo, lë spitalin e burgut në Tiranë për të vuajtur dënimin e mbetur në Psikiatrinë e Vlorës.Vendimi u mor dje nga Gjykata e Apelit në Vlorë, vetëm dy muaj pasi Gjykata e Fierit refuzoi kërkesën e avokatit të 45-vjeçarit. Kuqo, sipas një vendimi gjykate të vitit 2002, duhet të vuajë dënimin me 21 vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes, trafikut të prostitucionit dhe armëmbajtjes pa leje. Por, që prej ditës së djeshme, vitet e mbetura ai do t'i kalojë në spitalin psikiatrik të Vlorës, pa qenë nën ruajtjen e uniformave blu. Aleksandër Kuqo, prej vitit 2006 është arrestuar, por pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar në spitalin e burgut, pasi në bazë të një raporti mjekësor rezulton se është i prekur nga një sëmundje psikike. Në muajin shkurt të këtij viti, avokati i Kuqos kërkoi që klienti i tij të mos qëndronte më në spitalin e burgut, pasi në kushtet kur ruhej me policë dhe qëndronte pas hekurave, gjendja shëndetësore do të rëndohej më tepër. Për këtë arsye, avokati e përsëriti kërkesën në Gjykatën e Apelit të Vlorës, e cila vendosi pro saj. Vendimi i Apelit nuk i ka lëvizur asnjë presje atij për veprat penale të Kuqos, por duke theksuar se vuajtja e dënimit do të kryhet brenda ambienteve të Psikiatrikut, si i sëmurë mendor. Prokurori i Apelit reagoi dje duke thënë se Kuqo është person i rrezikshëm dhe do të kërkojë rikthimin e tij në spitalin e burgut. Aleksandër Kuqo njihet nga drejtësia shqiptare prej vitit 2002, kur pala italiane solli dosjen në ngarkim të tij, e cila e akuzonte për vrasje, prostitucion dhe armëmbajtje pa leje, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Gjatë rishqyrtimit të dosjes, Gjykata e Fierit e dënoi shtetasin nga Berati me 21 vjet heqje lirie. Një vit më vonë, ai u la i lirë, pasi paraqiti një raport mjekësor, pikërisht për sëmundje mendore dhe duhej të kurohej në spitalin e Vlorës. Por, zhvillimi i një sërë aktivitetesh private në Berat prej tij, gjatë periudhës që duhej të ndodhej në spital, bëri që prokuroria të kërkojë rikthimin e tij në burg. Në vitin 2006, Kuqo arrestohet sërish, për t'u izoluar fillimisht në paraburgim e më pas në spitalin e burgut.