Gurë mbi gjyqtarët italianë, kualifikohet Flamurtari
Flamurtari falë golit të Devis Memës në barazimin 1-1 kundër Shkumbinit në Peqin dhe fitores 1-0 në ndeshjen e parë në Vlorë (gol i Begajt), u kualifikua për herë të 11-të në finalet e Kupës së Shqipërisë, por gjyqtari i njohur italian Gabriele Gava, u detyruar ta mbyllte takimin e kthimit të njërës prej gjysmëfinaleve së Kupës së Shqipërisë, dy minuta përpara kohës së rregullt për shkak se tifozët peqinas goditën me sende të forta një prej anësorëve italianë, duke rikthyer kohët e vjetra edhe pse “bilbil” ishte një gjyqtar i huaj. Pas caktimit nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit të gjyqtarit italian Gabriele Gava, presidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili, pohoi se ai do të jepte dorëheqjen nga financimi i klubit peqinase, për shkak se ishte klubi i Flamurtarit, ai që paguante shpenzimet (rreth 9 mijë euro) për sjelljen e “xhaketave të zeza”. Gjithsesi, Shkumbini (pas presionit të FSHF-së për sanksione të ashpra) pranoi të luante takimin, duke u nisur edhe nga humbja minimale (0-1) në Vlorë, e me besimin se publiku i zjarrtë peqinase do të frymëzonte të besuarit e Gugash Maganit në përmbysjen e dizavantazhit e kualifikimin drejt finales së parë historike.
25-vjeçari Klement Xhyra shënoi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë golin e ëndërruar nga Shkumbini, duke i çuar ekipet në pushim të ndeshjes me rezultatin 1-0 dhe me rezultatin e përgjithshëm 1-1. Por, në minutën e 56-të, sulmuesi korçar i Flamurtarit, Devis Mema barazoi shifrat në 1-1 e duke çuar rezultatin e përgjithshëm në 2-1 në favor të vlonjateve.
Goli u konsiderua i parregullt nga ana e stafit peqinas, që tashmë i duhej të fitonte takimin minimalisht 3-1 për t’u kualifikuar, ç’ka nuk ndodhi. Shkumbini pretendoi edhe për një gol të rregullt të tyre, kur topi goditi shtyllën horizontale e kaloi vijën fatale, gjithmonë sipas tyre, ndërsa gjyqtari italian nuk e konsideroi të tillë. Kjo rriti edhe tensionin në fushë, teksa tifozët në fushën sportive nisën edhe reagimet e para të ashpra, duke hedhur shishe uji e më pas me kalimin e minutave edhe sende të forta, përfshirë edhe gurët në drejtim të njërit prej anësoreve italianë. Situata degjeneroi në fushë dhe gjyqtari italian Gava, i pari arbitër i huaj që ka gjykuar në Peqin, mbylli takimin dy minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, duke vulosur edhe rezultatin përfundimtar të takimit 1-1, por edhe eliminimin përfundimtar të Shkumbinit. Stafi teknik i Shkumbinit e konsideroi tendencioz gjykimin e treshes italiane, të paguar nga Flamurtari.
Dramë në “Qemal Stafa”, kalon Tirana
Falë golit të zëvendësuesit Jetmir Sefa në minutën e 104-t, Tirana zuri për herë të 21-të një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke “hequr qafe” fituesen në fuqi të këtij kompeticioni, Vllaznisë (1-0), pas 210 minutave dramatike, përfshirë edhe takimin e parë në “Loro Boriçi” (0-0) dy javë më parë. Presidenti i Republikës dhe ish-presidenti i Tiranës, Bamir Topi, ishte mesa duket edhe njeriu i fatit në një mbrëmje festive me një dekor të mrekullueshëm e një pafundësi fishekzjarrësh.
13-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë dominuan në pjesën më të madhe të lojës kundër rivalëve më të mëdhenj të tyre në një “Qemal Stafa” të elektrizuar tërësisht, në një nga mbrëmjet më spektakolare të futbollit shqiptar në 20 vitet e fundit, jo vetëm nga emocionet e jashtëzakonshme që supersfida prodhoi, por dhe nga niveli i lartë e përkushtimi absolut i dy formacioneve gjatë 120 minutave. Goleadori i Vllaznisë, Vioresin Sinani lëshoi një predhë nga goditja standarde në minutën e 18-të, por reagimi i 37-vjeçarit Nallbani ishte spektakolar. Ishte formacioni i Dervish Haxhiosmanoviçit, ai që ngacmoi sërish portën bardhlu, kur kosovari Ilir Nallbani goditi nga larg, por Blendi Nallbani i Tiranës, dukej se kishte fatin me vete, me atë ndërhyrje shembullore. Kapiteni i Tiranës, Devi Muka i dha një “llokume” Memellit në të 34’, por golashënuesi më i mirë i kampionatit nuk mundi ta shndërronte në gol mundësinë e artë, duke e gjuajtur mbi traversë. Mesfushori i Kombëtares, Ansi Agolli goditi traversën në minutën e 35-të, duke rritur adrenalinën në maksimum në “Qemal Stafa”, por dhe presionin ndaj Armir Grimës. Në minutën e 67-të, ganezi Xhejms Boadu hodhi një top të zgjuar drejt katërkendëshit të Tiranës, por Nallbani reagoi bukur, duke e devijuar topin në goditje këndi. Zëvendësuesi i Devi Mukës, Jetmir Sefa, nuk arriti të shënonte në të 77-të, teksa gjuajtja e tij kaloi ngjitur me trekëndëshin e majtë të portës së mbrojtur nga veterani Armir Grima. Koha e rregullt përfundoi sërish 0-0, ashtu si në Shkodër dy javë më parë, dhe skuadrat iu drejtuan shtesave, por ka kapitenët e tyre, Devi Muka i ka vendin Jetmir Sefës, ndërsa Vioresin Sinani u zëvendësua me Xhevair Sukajn. Gjergji Muzaka pati një rast të mirë në të 97’, por stërzgjatja e jashtëzakonshme e Armir Grimës i mohoi golin Tiranës.
Sulmuesi Daniel Xhafa krosoi nga e djathta e sulmit bardheblu për nigerianin Abraham, ky i fundit goditi drejt portës, topi u përplas në trupin e një mbrojtësi të Vllaznisë, mbrojtësi i Tiranës këmbënguli sërish dhe në tentativën e dytë me kokë e dërgoi topin te zëvendësuesi Jetmir Sefa, i cili në mënyrë cinike e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 104-t. 1-0 për Tiranën, ndërkohë që në 16 minutat e mbetura, Vllaznisë i duheshin dy gola për të kaluar në finale. Një mision i pamundur dhe i parealizuar njëkohësisht. Tirana në finale do të përballet me Flamurtarin, dy herë fitues të Kupës së Shqipërisë, teksa statistikat e tri përballjeve të tyre flasin me ngjyrat bardheblu: tri finale të diskutuara midis tyre në 1983, 1984 e 1996, të tria të fituara nga Tirana.
TIRANA
Merr pjesë për herë të 21-të në finale. Në turin e parë eliminoi Tërbunin (1-1, 1-0), në të dytin Lushnjën (4-1, 5-0), në të tretin Elbasanin (0-0, 2-0) dhe në gjysmëfinale eliminoi Vllazninë (0-0, 1-0 pas kohës shtesë). Tirana e ka fituar 13-herë kupën e Shqipërisë, për herë të fundit në vitin 2007, teksa sezonin e kaluar humbi 2-0 me Vllazninë.
FLAMURTARI
Flamurtari merr pjesë për herë të 12-të në finale. Në turin e parë Naftëtarin (6-1, 3-2), në të dytin Bylisin (1-1, 2-1), në të tretin Partizani (1-0, në përballjen teke) dhe në gjysmëfinale Shkumbinin (1-0, 1-1). Flamurtari e ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë, në vitin 1985 dhe 1988, kur në finale ka fituar respektivisht ndaj Partizanit.
TRI FINALET
1995-1996 Tirana-Flamurtari 5-4 (p)
1983-1984 Tirana-Flamurtari 2-1
1982-1983 Tirana-Flamurtari 2-1
KUPA E SHQIPËRISË
Gjysmëfinalet
Ndeshjet e para
15 prill 2009
Flamurtari-Shkumbini 1-0
Vllaznia-Tirana 0-0
Ndeshjet e kthimit
29 prill 2009
Shkumbini-Flamurtari 1-1
Tirana- Vllaznia 1-0
FINALJA
Flamurtari-Tirana
6 maj 2009
30 Prill 2009