Bekenbauer zgjedh: “Më pëlqen Rajkardi”
Presidenti i Bajernit të Munihut, Franc Bekenbauer, pohoi se holandezi Frenk Rajkard është një kandidat i mundëshëm si trajner i gjigantëve gjermanë.
Jurgen Klinsmani u shkarkua pas 11 muajsh punë për shkak të rezultateve të dobëta, duke u zëvendësuar me ish-trajnerin e Bajernit të Munihut, Jup Hejknes, që do të kujdeset për rekordmenët gjermanë në pesë ndeshjet e fundit të Bundesligës.
46-vjeçari Rajkard, i cili fitoi Ligën e Kampioneve në vitin 2006 si trajner i Barcelonës, është pa klub pas shkarkimit nga klubi spanjoll në fund të sezonit të kaluar.
Braziliani Luis Felipe Skolari, italiani Roberto Mançini, gjermani Bernd Shuster dhe ish-trajneri i Hamburgut, Martin Jol janë përmendur nga media gjermane si kandidatë të mundshëm për të qenë trajnerë të Bajernit për sezonin e ardhshëm.
“Një zgjidhje mund të ishte Rajkard, ai nuk ka asnjë kontratë për momentin”, - pranoi Bekenbauer për transmetuesin gjerman “Premiere”. “Është pak herë për të folur për këtë, por sigurisht që ekzistojnë një numër i madh mundësish. Ne jemi duke parë se kush mund të ishte më i përshtatshëm për Bajernin dhe do të vendosim”.
Bekenbauer, i cili ishte kapiteni dhe trajneri i Gjermanisë në fitimin e Kupës së Botës, pranoi se edhe Gus Hidink e Arsen Venger mund të ishin dy kandidatë të mirë.
“Unë e vlerësoj Hidinkun, mbi të gjithë të tjerët, por ai do të largohet nga Çelsi për t’u përqendruar te ekipi i Rusisë”, - tha Bekenbauer. “Ai nuk dëshiron të marrë Bajernin”.
Bekenbauer shprehu dyshimin e tij edhe për Vengerin, që sipas tij, nuk do të lërë Arsenalin, skuadër që e drejton qysh prej vitit 1996. “Natyrisht edhe ai është një opsion, por ne nuk do ta marrim atë”, - tha Bekenbauer. “Ai është duke zhvilluar ekipin e tij në Angli dhe nuk dëshiron të largohet”.
Drejtori i përgjithshëm i Bajernit, Karl Heinc Rumenige, tha se ai parashikon se emri i trajnerit të ri do të zbardhet brenda gjashtë javëve të ardhshme.
KANDITATËT E TJERË
Braziliani Luis Felipe Skolari, italiani Roberto Mançini, gjermani Bernd Shuster dhe ish-trajneri i Hamburgut, Martin Jol janë përmendur nga media gjermane si kandidatë të mundshëm për të qenë trajnerë të Bajernit për sezonin e ardhshëm.
30 Prill 2009