E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni i tregon derën Ançelotit



Presidenti i Milanit dhe kryeministri italian, Silvio Berluskono, pranoi se e ardhmja e trajnerit Karlo Ançeloti do të vendoset në fund të sezonit. E ardhmja e Ançelotit ka qenë temë e një debati të gjatë gjithë sezonit, pasi 49-vjeçari ka qenë i lidhur më një transferim të mundshëm si te Reali i Madridit ashtu dhe te Çelsi, teksa edhe vetë ai ka pranuar se po mëson anglisht. Trajneri gjithmonë ka pohuar se ai dëshiron të qëndrojë te Milani, ndërkohë që zëvendëspresidenti Adriano Galiani ka përsëritur shpesh se Ançeloti ka një kontratë deri në përfundim të sezonit të ardhshëm. Por, Berluskoni, duke folur për “Sky Sport24” pranoi faktin se Ançeloti mund të largohet këtë verë. “Miqësia ime me Karlon është përtej çdo diskutimi, por kështu janë faktet. Unë e pëlqej shumë atë dhe jam i sigurt se ndjenja është reciproke”, - tha kryeministri italian. “Galiani do të ngarkohet të bisedojë me të në fund të sezonit, për të parë nëse ne dëshirojmë të vazhdojmë së bashku ose jo, gjithmonë në varësi të rezultateve. Ne do të vendosim së bashku atë çfarë do të ishte më e mira për Milanin. Unë dëshiroj se ne nuk kemi diskutuar për emrin një pasuesi të tij. Atëherë kur Ançeloti nuk do të jetë trajneri ynë, atëherë do të ketë edhe bisedime”. Milani nuk e fiton kampionatin italian që nga viti 2004, dhe një muaj më parë dukej se nuk ishte në garë për titullin e këtij sezoni. Diferenca më e madhe me rivalët e përjetshëm të qytetit, Interin, ka qenë 14 pikë, por tashmë ajo është reduktuar në shtatë pikë, duke krijuar një reze shprese për Milanin. “Titulli? Është gjithmonë e drejtë të ëndërrosh, në fakt jeta është bërë prej ëndrrash”, - shtoi Berluskoni. “Për ne do të ishte e mjaftueshme të përfundojmë të dytët në një sezon ku kemi vuajtur edhe nga dëmtimet”.

Ironia e “The Sun”: “Barça nuk kafshon”

Shtypi i thuri lavde mbrojtjes së fuqishme të Çelsit, që nuk lejoi yjet e Barcelonës të shënonin qoftë edhe një gol të vetëm, duke mbajtur të gjalla shpresat për një vend në finalen e Ligës së Kampioneve, ashtu si një vit më parë në Moskë. “Punë e kryer. Blutë do të rikthehen në ‘Stamford Brixh’, duke pasur gjithçka për t’u luajtur”, - shkruante “Daily Telegraf”, pas barazimit 0-0 në “Kamp Nou”, që pa për herë të parë Barcelonën pa shënuar gol në shtëpi gjatë këtij sezoni në Ligën e Kampioneve. “Daily Mail” përgëzoi Çelsin për “mbrojtjen e organizuar në mënyrë të shkëlqyer”, duke vlerësuar maksimalisht portierin Petër Çeh, i cili bëri disa bllokime të rëndësishme gjuajtjeve të Samuel Eto-së dhe zëvendësuesit Aleksandër Hleb. “Barça nuk kafshon” – shkruante me të madhe tabloidi “The Sun”.

Real-Barça, spektakël yjesh

Supersfida Real-Barcelona, e njohur botërisht si “El clasico” (2 maj) është një nga ndeshjet më popullore e më të ndjekura në planet, pasi te dy gjigantët spanjollë luajnë disa nga yjet më të mëdhenj të botës, përfshirë Lionel Mesin, Tieri Henrinë, Fabio Kanavaron e Iker Kazijas. Dy skuadrat dominojnë Ligën spanjolle që nga viti 1950. Në takimin e fundit midis tyre, të luajtur në “Kamp Nou”, në dhjetor të vitit 2008, Barcelona mundi Realin e Madridit 2-0. Diferenca midis tyre është vetëm katër pikë, dhe një fitore e mundshme e Realit në “Santiago Bernabeu” do ta reduktonte atë në vetëm një pikë.

Mungon Guti
Veterani i Realit të Madridit, Guti, do të mungojë në ndeshjen kundër Barcelonës.

Fundi i Markezit
Ndërkombëtari meksikan i Barçës, 30-vjeçari Rafael Markez i dha fund sezonit.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›