E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleksandër Kuqo “i sëmurë”, padi në gjykatë për lirimin nga burgu

 

TIRANE – Personazhi i shumëpërfolur për lirimin e tij nga gjykatat shqiptare në kohën që ishte dënuar përjetë për vrasje në Itali, tenton të ripërsërisë historinë. Burime zyrtare nga Gjykata e Tiranës, konfirmuan dje se më 11 nëntor 2008 në këtë institucion, i dënuari Aleksandër Kuqo ka depozituar një kërkesë me objekt “lirimi i të burgosurit”. Kërkesa e të dënuarit për vrasje është bazuar në nenin 478 e Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet se “gjykata mund të vendosë lirimin e të burgosurit kur vazhdimi i burgimit mund të rrezikojë jetën e tij”. Me këtë argument i dënuari për vrasje kërkon lirimin nga qelia duke pretenduar se vuan nga sëmundje të cilat mund t’i sjellin pasoja, në rast se vazhdon të qëndrojë në qeli. Aleksandër Kuqo është arrestuar më 6 maj 2006, nga policia e Beratit. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata Penale Milano në Itali. Ndërkaq strukturat e Policisë së Beratit në maj 2006 ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Fierit “për ekzekutimin e vendimit penal nr.13, datë 22 janar 2003, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier, për caktimin e masës mjekësore ndaj Aleksandër Kuqos. Ky vendim kishte urdhëruar vendosjen e dënuarit në institucionin mjekësor, Psikiatriko–Rajonal Vlorë për mjekim të detyruar. Në vitin 2002, Gjykata e Fierit e kishte dënuar atë me 21 vjet burgim, në njohje të vendimit të gjykatës Penale të Milanos në Itali. Kjo e fundit e shpalli fajtor Aleksandër Kuqon dhe e dënoi atë për veprat penale të vrasjes me paramendim në bashkëpunim, mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe trafikimit të femrave për prostitucion në bashkëpunim. Qëndrimi në liri i Aleksandër Kuqos dhe aktivizimi i tij në biznes privat, kur me raport mjekësor rezultonte i sëmurë, u bë shkak për debate publike para dhe pas arrestimit të tij dy vjet më parë. “Me vendimin nr.13, datë 22 janar 2003, të Gjykatës së Rrethit Fier, në zbatim të nenit 46/2 të Kodit të Procedure Penale, është vendosur caktimi i masës mjekësore dhe vendosja e tij në spitalin Psikiatrik- Rajonal Vlorë. Gjatë kësaj kohe deri në momentin e arrestimit, Aleksandër Kuqo ka qëndruar i lirë në rrethet Berat dhe Fier dhe është marrë me biznes privat. Në lagjen Uznove të qytetit të Beratit ka në bashkëpronësi një fabrikë vere si dhe disa dyqane e objekte të tjera në qytetin e Beratit. Veprimet e kryera nga ky shtetas gjatë kësaj kohe nuk të lënë të kuptosh se ai vuan nga ndonjë sëmundje psikike”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme, sipas të cilës gjatë arrestimit në vitin 2006 Kuqo ka kundërshtuar me armë policinë.                      tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›