Pranga tre tregtarëve të rrobave
TIRANE - Tre persona u arrestuan nga policia e kryeqytetit, ndërsa një kamion me konfeksione në pronësi të tyre të kontrabanduara nga Greqia u sekuestrua. Oligert Jakupi, 30 vjeç, nga Korça, Adriatik Kollona, 37 vjeç, nga Korça banues në Tiranë, si dhe Ilir Rrapaj, 37 vjeç nga Tepelena banues në Fier, janë arrestuar nga antikrimi ekonomik i Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ata janë kapur në një kamion në afërsi të Medresesë, ndërsa po kryenin shkarkimin e një sasie të konsiduershme rrobash e veshjesh dimërore. Kamioni me veshjet në pronësi të tre biznesmenëve ka hyrë nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës, të premten në orët e para të mëngjesit. Në kamion kishte kryesisht veshje dimërore, si bluza të llojeve të ndryshme 900 copë, xhupa pellushë 450, copë, pantallona firmato 800 palë, kostume sportive 200 palë, pallto stofi 300 copë, xhupa dimërore 700 copë, si dhe 300 copë kostume të ndryshme. Për të gjithë këtë sasi malli, me një vlerë të konsiderueshme, sipas burimeve të policisë nuk janë kryer veprimet doganore në pikën hyrëse të Kapshticës dhe as në atë të Tiranës. Kjo ka bërë që policia të bllokojë të gjithë sasinë e mallit dhe më pas të arrestojë në flagrancë tre pronarët.