E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Meksi ne 360 grade, nga Partizani te Mancester Junaitid

/* */

Dash FRASHERI - Kur ishte vetëm 7 vjeç, Aleksandër Meksi (sot 72 vjeç), ishte një nga tifozët e shumtë që pa kapitenin e Shqipërisë, legjendën Loro Boriçi, të ngrinte lart trofeun e Kampionit të Ballkanit, pikërisht në finalen të fituar 1-0 kundër Rumanisë, më 13 tetor të vitit 1946.

Ishte momenti i parë i madh i kontaktit me emra të “rëndë” si Loro Boriçi, Qamil Telitit, Dodë Tahiri, Sllave Llambi, Muhamet Dibra, Bahri Kavaja, por dhe portieri italian Xhakomino Pozeli. Ish-kryeministri i 30-të i Shqipërisë, nga themelimi i shtetit shqiptar nga viti 1912, i katërti pas vendosjes së Demokracisë në Shqipëri dhe i pari i Partisë Demokratike pas tre kryeministrave të Partisë së Punës: Fatos Nano, Ylli Bufi, Vilson Ahmeti, dikur një pasionant shahu, por dhe një ndjekës i rregullt i futbollit, basketbollit, zbulon gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf”, skuadrat dhe lojtarët e tij zemrës, miqtë e futbollit, por dhe emocionet që ka përjetuar gjatë qindrave ndeshjeve që ka ndjekur.

I diplomuar për inxhinieri ndërtimi, por i kushtuar ndaj restaurimit të monumenteve historike të arkitekturës dhe të arkeologjisë, themelues i Partisë Demokratike, Aleksandër Meksi rrëfen ndodhi nga jeta personale, duke ndarë me lexuesit edhe të fshehtat e tij. Themeluesi i Partisë Demokratike është njëherësh edhe një nga shtatë kryeministrat që ka njohur Shqipëria pas vitit 1991, përfshirë Fatos Nanon (tri herë kryeministër, rekord), Ylli Bufin, Vilson Ahmetin, Bashkim Finon, Pandeli Majkon, Ilir Metën dhe Sali Berishën (aktualisht në qeverisje nga viti 2005). Tashmë, që ai quan veten të dalë nga politika, merret me shkrimin e studimeve. “Është një detyrim shkencor. Për të bërë një studim janë harxhuar, kohë, para nga jeta ime. Dhe ato janë bërë në kushte të vështira, që kanë qenë atëherë. Unë jam marrë me monumente në zona që përgjithësisht kanë qenë të zona të humbura. Ato studime që kam bërë jam duke i përfunduar. Sigurisht, që shkruaj edhe për politikën”, - thotë Meksi.

                           

Zoti ish-Kryeministër, mirëserdhët në gazetën “Telegraf”. Njiheni si një pasionant futbolli dhe këtë e keni dëshmuar në vazhdimësi. Për të gjithë lexuesit e gazetës sonë dhe jo vetëm, cili ka qenë kontakti juaj i parë me futbollin e luajtur?

 Më duhet të rikthehem të paktën 65 vjet pas, pikërisht në kohën, kur im atë më çonte për të ndjekur ndeshjet që zhvilloheshin në fushën e famshme të Shallvareve, por ato që mund të konsiderohen ndeshjet e vërteta, lidhen me Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Tiranë, në tetor të vitit 1946.

 Ky është edhe rasti i parë dhe i vetëm kur Shqipëria ka dalë kampione e Ballkanit. Si e kujtoni atë Kampionat Ballkanik, i vetmi i zhvilluar në vendin tonë?

 Në kujtesë kam dy portierët e atëhershëm, Dodë Tahirin dhe Xhakomino Pozelin dhe sigurisht kapitenin Loro Boriçi. Kam parë në “Qemal Stafa” ndeshjen me Rumaninë, të fituar 1-0 me golin e Telitit. Kam qenë vetëm shtatë vjeç atëherë. Sigurisht, isha midis tifozëve, dhe kam brohoritur fort kur Loro ngriti larg Kupën. Ishte një gëzim i përgjithshëm dhe i jashtëzakonshëm. Është një nga pamjet që nuk mund ta heq kurrë nga kujtesa ime. Prej asaj kohe thuajse m’u shndërruar në një zakon të ndjek ndeshjet e tjera. Ishte një kohë, le të themi në vitet 1950, që futbolli ishte dëfrimi i vetëm që mund të kishe. Sigurisht, që kam qenë edhe kur Shqipëria ka pësuar 4 gola nga Rumani në vitin 1947, por dhe kur Kombëtarja fitoi 2-1 me Bullgarinë në vitin 1950, apo Polonisë 2-0 në vitin 1953. Nuk kam si ta harroj dhe fitoren 1-0 me Danimarkën në vitin 1963, e para për eliminatoret e një Europiani. Gjithashtu, kam qenë në stadium kur barazuam 0-0 me Gjermaninë në vitin 1967, apo dhe kur humbëm 1-0 ndaj tyre në vitin 1971. Mund të them se, kam parë shumë ndeshje të Kombëtares.

Kur u bëtë një shikues profesionist i futbollit?

 Kampionatet zhvilloheshin rregullisht dhe kam pasur gjithmonë një kënaqësi të veçantë ta shihja nga karshia, apo 10-shet siç e quanim ne në atë kohë. Përgjithësisht, ishim të njëjtët njerëz. Kam qenë edhe në ndeshjen kur u shemb tribuna gjatë ndeshjes Tirana-Partizani. Unë kam qenë nga krahu i djathtë, në rreshtin e nëntë. Afër qendrës, u dëgjua një zhurmë e madhe dhe morëm vesh që kishin rënë ata prapa. Ne u kapëm dorë për dore me njëri-tjetrin dhe nuk ramë. Më pas erdhën lojtarët që na pyetën nëse kishte të dëmtuar. Loja u ndërpre për disa minuta dhe rifilloi sërish. Në fakt, na duhej të bënim edhe pak llogari, se me ato lekë që na jepnin prindërit, do t’i shpenzonim për të parë ndeshjet, apo për të shkuar në kinema. Pra tifozllëku ka qenë për një kohë të gjatë e vetmja gjë. Aq sa disa e thoshin edhe me të qeshur, se po të merreshe me sport, nuk mund të merreshe me politikë. Këtë e thoshte edhe Koço Dilo, por meqenëse mbrojti në gjyq, futbollistin e madh të Tiranës, Skënder Halilin, e hëngri nga politika.

A keni pasur ndonjëherë dëshirë të bëheshit futbollist?

Jo. Por atëherë ka qenë loja e vetme që mund të luhej. Të mjaftonte ndonjë top lecke, apo i keq. Me klasën time, kur kam qenë diku te 12 vjeç, kam luajtur në Shallvare, theva dorën, pasi rashë keq duke dashur të bëja rofeshatë. Gjithsesi, disa ndeshje për qejf. Më shumë jam marrë me atletikë kur kam qenë student.

 Përveç preferencave për futbollin, apo dhe basketbollin, çfarë sporti ndiqni?

Ndjek shpesh kampionatin e atletikës, garat e mëdha të saj, dhe jashtë vëmendjes sime nuk mbeten edhe Lojërat Olimpike kur ato zhvillohen. Sigurisht, që ndjek edhe pse jo shpesh, garat e makinave, ato të Formula 1, edhe pse pjesë-pjesë dhe jo gjithë garën. Basketboll kam shikuar më shumë se volejbollin. Kam qenë tifoz i tij. Një nga ndeshjet që më ka emocionuar më shumë, ka qenë ajo e Partizanit kundër kampiones së Italisë, Oransoda, e që përfundoi 73-73 (1968).

 Zoti Meksi, përse zgjodhët të mbështetnit Partizanin, dhe jo Tiranën apo Dinamon?

 Besoj për faktin, se ishte në krye, por dhe se kishte disa lojtarë me emër, si Loro Boriçi, Besim Fagu, Refik Resmja, apo të tjerët, që unë i kisha parë me Kombëtaren. Gjithmonë bëhesh tifoz me ata që janë në krye, nuk mund të gjesh arsye dhe argumente të bëhesh me ekipe të vogla. Do ta shihja në një këndvështrim tjetër: shqiptarët bëhen gjithmonë me fituesit dhe kurrë me humbësit. Ngaqë duan të jenë gjithmonë të parët, si mund të bëhen me të dytin. Kam parë qindra ndeshje të Partizanit, por vitet e fundit është pakësuar disi numri i ndeshjeve të ndjekura në stadium. Edhe për faktin, se nuk kanë qenë dhe aq shumë më interesante sa më parë. Gjithsesi, erdhi dhe koha e ndonjë batakçillëku të vogël, sesi mund të fitosh përmes basteve.

Si e kujtoni rivalitetin midis tre ekipeve të kryeqytetit Partizanit, Tiranës dhe Dinamos?

 Unë isha me Partizanin, por nëse luante Tirana me Dinamon, apo dhe me ekipe të tjera isha me Tiranën. Ishte zgjedhja ime e dytë. I njihja lojtarët, edhe sot e kësaj dite me Niko Xhaçkën, Memat, apo Luigj Bytyçin kam miqësi dhe shumë të tjerë. Edhe kur kam qenë kryeministër jam takuar shpesh me ta. Sigurisht ka pasur lojtarë që i kam respektuar si Refik Resmja, i Partizanit, si një nga lojtarët më të mirë që kanë qenë. Mbaj mend edhe Simon Deden, Lin Shllakun  dhe Simon Jubanin që ndërroi profesionin dhe u bë prift dhe hapi i pari Kishën Katolike në Shkodër. Ata ishin futbollistë, dhe në të njëjtën kohë ishin njerëz të rregullt në qytetin e Tiranës. Loro Boriçi, Panajot Panon e kam takuar shpesh. Këta ishin njerëz të rregullt, dhe atëherë nuk shiheshin në funksionin e yllit, siç bëjnë tani gazetat. Me ta merreshin tifozët, të cilët i prisnin kur dilnin nga stadiumi.

 Është folur shumë për ndikimin e gjeneralëve të Partizani, ekipi juaj i zemrës. A keni pasur ndonjë kontakt me ta?

 Dihej që Petrit Dume ndërhynte në formacion. Kur kemi qenë në zborr, në vitin 1959, isha student në vitin e katërt të Politeknikumit të Universitetit, kemi bërë në Jug lojërat e Traktatit të Varshavës, kur jemi kthyer kanë luajtur futboll, studentët kundër gjeneralëve dhe ushtarëve. Unë personalisht kam luajtur basketboll. Mbaj mend se dhe Petrit Dume ka luajtur, ashti si dhe Skënder Bajraktari. Ne studentët kishim portier një ushtar, që i linte golat se ndryshe e pësonte (qesh). Na mundën 3-1. Ata luanin me këpucë sportive, djemtë tanë luanin zbathur, pasi me këpucë ushtari nuk luhej dot. Petriti ishte qejfli i futbollit.

Le të flasim pak për figurat e mëdha sportive. Kë keni njohur?

Me shumicën e tyre kam pasur rastin t’i ndjek në fushë, por dhe të bisedoj e të ndaj miqësi. Edhe sot e kësaj dite me shumë nga ish-futbollistët takohem. Ali Memën, Bixhin, Neptun Bajkon, Bejkush Birçen, e shumë të tjerë I takoj dhe bashkëbisedojmë për tema sportive dhe jo të tilla. Me Kombëtaren kam pasur shumë takime kur kam qenë Kryeministër. Në atë kohë që të gjithë u pajisën me pasaporta, që të dilnin lirshëm jashtë. Madje me pasaportë shërbimi u pajisën edhe gratë e tyre, për ato që banonin jashtë e që sot duket si çudi. Ata përfaqësonin Shqipërinë dhe u takonte një lehtësi lëvizjeje. Detyra si kryeministër, sigurisht më ka dhënë mundësinë për të pasur kontakte, me ekipe dhe lojtarë. E kam pasur mik dhe vazhdoj miqësinë me Salvador Kaçajn. Takohemi shpesh. Jam takuar edhe me Miço Ndini, e kam takuar në Pogradec, ndërsa me Miço Papadhopullin kam pasur shumë miqësi. Neptun Bajko dhe Bejkush Birçe, janë ndër miqtë e mi më të mirë. Birçen e kam njohur në vitet 1950, kam qenë në klasë të gjashtë të shkollës “Kongresi i Përmetit” dhe bëja pjesë në ekipin e shahut. Luanim kundër ekipit të Shtëpisë së Fëmijës. Bejkush Birçe, Myftar Qemali, Sabri Galanxhi  si dhe treshja jonë, unë, im vëlla dhe Bardhyl Metuli. Kam luajtur shah dhe nga viti 1946 deri në vitin 1950, kam qenë kampion i Shtëpisë së Pionierëve. Kam luajtur me Ylvi Pustinën, Gaspër Shoshin, Bujar Hoxhën, Zef Ashtën. Por, nuk e kam vazhduar shahun. 

*vijon ne pjesen e dyte

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›