Bam Xhafaj ndaj Kastrioti, kthehen kampionët e Skënderbeut
Një gol i Xhafajt në pjesën e dytë fut Skënderbeun në vallen e titullit. Krutanët dorëzohen në Korçë, intrigohet kampionati
Skënderbeu Kastrioti 1-0
Shënues: Xhafaj 52
Skënderbeu: Shehi, Radas, Bicaj, Gvozdenoviç, Arapi, Bratiç, Biskup (Orelesi 80), Allmuça, Shkëmbi (Kërçiku 86), Muzaka, Xhafaj. Trajner: S. Levi.
Kartonë të verdhë: Bratiç, Biskup, Xhafaj
Kastrioti: Halili, Caca, Pashaj, Malakarne, Sefa, Plaku, Dragoi, Muçollari, Inkango, Grami, Turdiu (Xhihani 74). Trajner: R. Ndreu.
Kartonë të verdhë: Pashaj, Sefa, Xhihani
Gjyqtar: L. Alla (Lushnjë), D. Rexha, D. Agaraj (Tiranë)
Radiografia
8- Inkango për miqtë me një të djathtë të fuqishme provon të befasojë Shehin, por jashtë.
10- Serbi Gvozdenoviç për vendësit shërben për Xhafajn, që vetëm sa e prek topin topin me kokë dhe pret Halili.
33- Zbritje e shpejtë e vendësve, Shkëmbi gjuan nga 25 metra, por topi përfundon mbi kuadrat.
36- Allmuça gjuan nga larg, por topi përfundon ngjitur me traversën krutane.
38- Gjuan Biskup për korçarët, por Halili bën mrekullinë me grushtimin e topit për në këndore.
41- Sefa për miqtë me një të majtë të fuqishme e dërgon topin në trekëndësh, por Shehi bën një grushtim spektakolar.
44- Kapiteni Shkëmbi nxjerr një asis për Muzakën, që i vetëm përballë portës mike, nuk arrin të shënojë, pasi pret Halili.
52- Shkëmbi shërben për Xhafajn, që brenda zonës gjuan dhe shënon golin e avantazhit. 1-0 për kampionët.
70- Kundërzbresin miqtë. Sefa ka mundësi të barazojë shifrat, por pret Shehi.
87- Muzaka nga e majta e sulmit për Skënderbeun nxjerr të lirë Allmuçën, që gjuan jashtë.
90- Xhafaj pason për te Kërçiku, i cili gjuan, por topi pasi prek trupin e portierit Halili, godet shtyllën e djathtë pingule, duke shpëtuar miqtë nga pësimi i golit të dytë.
Skënderbeu e zË dy herë mat Kastriotin. pasi e ka mundur 5 ditë më parë për Kupë, edhe dje e mund sërish, por këtë herë për kampionat. Kampionët më së fundi janë rikthyer dhe dje ka pasur shumë rikthime, pasi edhe Daniel Xhafaj ka shënuar golin e tij të parë me fanellën e Skënderbeut, ndërkohë që janë rikthyer në stadium edhe tifozët, ashtu siç është rikthyer edhe loja e mirë e Skënderbeut.
Djemtë e Levit dje kanë bindur me lojën e zhvilluar, ndërkohë që mjafton vetëm një gol për të siguruar këtë tripikësh, që e ngjit Skënderbeun në vendin e 7-të të tabelës së klasifikimit, me 6 pikë larg kreut të klasifikimit, që mbahet nga Tirana dhe Teuta.
Pjesa e parë Të dyja skuadrat në fillimit e ndeshjes kishin reshtuar në fushë dy ekipe me skema të ndryshme taktike, ku miqtë kishin si objektiv të mbroheshin sa më shumë, ndërkohë që korçarët ishin të rrezikshëm, pasi sa herë dilnin në sulm, dilnin me 5-6 futbollistë. Minutat e para janë të qeta, pas një sinjali të afrikanit Inkango, që gjuan jashtë, por sinjalin e parë për vendasit e jep Xhafaj në minutën e 10-të, që me kokë nuk arrin ta shtyjë topin në kuadrat.
Deri në minutën e 33-të loja është e bukur dhe e fortë në mesin e fushës, ndërkohë që kapiteni Shkëmbi lëshon një sinjal tjetër në këtë minutë me një gjuajtje nga larg. Allmuça dhe Biskup janë të rrezikshëm në këto minuta të fundit të kësaj pjese, ndërkohë që Muzaka një minutë përpara përfundimit humd rastin më të pastër, pasi ndodhej i vetëm përballë portierit Halili, por kryeqytetasi nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë. Me këtë rezultat të bardhë 0-0, që i shkoi më shumë për shtat miqve nga Kruja u mbyllën edhe 45 minutat e para të ndeshjes.
Pjesa e dytë Në franskionin e dytë të ndeshjes janë sërish vendësit që janë më këmbëngulës, ndërkohë që vetëm pas 7 minutash loje dhe pikërisht në minutën e 52-të, vjen edhe goli i avantazhit. Ka qenë kapiteni Shkëmbi, që ka dhënë një top të saktë brenda zonës mike për Xhafajn dhe ky i fundit me gjuajtjen e tij kalon edhe portierin mik dhe topi përfundon në rrjetë. E gjithë skuadra shkon e gëzohet te Xhafaj që shënon golin e parë me fanellën e Skënderbeut, ndërkohë që tifozët duartrokasin gjatë golashënuesin vlonjat.
Pas golit edhe miqtë nuk kanë se çfarë të humbasin më dhe hidhen në sulm, por afrikani Inkango nuk është në ditën e tij më të mirë, edhe pse shumë herë është shërbyer siç duhet nga Plaku. Korçarët mund të kishin shënuar edhe golin e dytë në vijim, ndërkohë që Allmuça nuk arrin të konkretizojë një rast të pastër, ndërkohë që në fundin e ndeshjes korçarët mund të kishin shënuar edhe të dytin.
Gjithçka mbyllet me këtë fitore minimale 1-0, por me shumë vlera për Skënderbeun që ngjitet në kuotën e 10 pikëve, por që në tri javët e ardhshme ka tri sfida të vërteta për të luajtur, duke filluar qysh këtë javë, që do të udhëtojë për tu përballur në kryeqytet ndaj kryesuesve të Tiranës.
Levi: Duhet të kishim shënuar më shumë
Jam maksimalisht i kënaqur me fitoren e sotme (djeshme) të arritur ndaj Kastriotit. Ndeshja ishte mjaft e bukur dhe e fortë, ndërkohë që ne e merritonim plotësisht fitoren. Kastrioti ishte një skuadër shumë e mirë dhe ne me lojën që zhvilluam duhet ti shënonim më shumë se një gol. Rastet e tjera për shënim duhet ti shfrytëzonim, por edhe një gol na mjafton. Më gëzoi shumë goli i Daniel Xhafajt, ashtu siç më gëzon çdo gol, por ky ka qenë i veçantë, pasi Xhafaj vinte nga dëmtimi dhe u rikuperua në kohë. Nuk kemi kohë të gëzojmë, pasi duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës ndaj Tiranës.
Ndreu: Humbja u vendos vetëm nga një episod
Ndeshja ndaj Skënderbeut ishte një ndeshje e vështirë dhe korçarët kanë një skuadër me kualitetete dhe sot (dje) bënë maksimumin ndaj nesh. Nuk arritëm të konkludoheshim siç duhet me sulmin tonë dhe për humbjen vendosi vetëm një episod. Duhet të shfrytëzonim momentin jo të mirë psikologjik që ishte duke kaluar Skënderbeu, por nuk arritëm ta bënim një gjë të tillë. Edhe pas kësaj humbje ne do të vijojmë të synojmë Europën, ndërkohë që kalendarin e kemi të lehtë në vazhdim. I uroj suksese Skënderbeut.
Xhafaj: Nuk u riktheva unë, por Skënderbeu
Jam vërtet shumë shumë i kënaqur në radhë të parë për atë se kemi luajtur shumë mirë. U rikthye Skënderbeu i vërtetë, pastaj mund të them që edhe unë u riktheva te goli. U gëzova pa masë, pasi shënova golin e parë me fanellën e Skënderbeut, ndërkohë që më shumë jam kënaqur për potencialin që treguam në fushë.
Kam patur mbështetjen maksimale nga ana e tifozëve, presidencës, stafit teknik dhe futbollistëve dhe të gjithë i falenderoj në këtë moment. Javët e para kemi kaluar një ngërç, ndërkohë që tani jemi rikthyer një skuadër e denjë për titullin. Qysh ndaj Teutës ne u kthyem në lojërat tona më të mira, ndërkohë që ndaj Kastriotit e konfirmuam. Jam shumë i gëzuar dhe koha do ta tregojë se kush është ky Skënderbe.
Të veçanta
- 2517 sportdashës e kanë ndjekur ndeshjen e djeshme në Korçë, teksa shumica e tyre ishin ulur në stadium 90 minuta përpara, pasi e dinin ndeshjen në orën 17:00.
- 50 tifozë kishin mbërritur nga Kruja dhe ishin vendosur në tribunën D.
- Pas një mungese të gjatë në ekranin e televizionit, takimi i djeshëm në Korçë është transmetuar nga Supersport.
<